Media gjermane: Europa në këmbë, solidaritet me Shqipërinë!

Pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë vjen një  valë solidariteti nga Europa. Kancelarja Merkel i ka ofruar ndihmë  emergjente Shqipërisë. Shumë vende të tjera fqinje e europiane tregohen  solidare me Shqipërinë.

Pas fatkeqësisë së tërmetit në Shqipëri, Bashkimi Europian ka reaguar  zyrtarisht përmes Federica Mogherinit, zëvendëspresidente e BE dhe e  ngarkuara në largim për Politikën e Jashtme si edhe komisionerit të BE,  Christos Stylianides duke shprehur tronditjen për tërmetin shkatërrues  që ka shkaktuar viktima në Shqipëri. “Shprehim ngushëllimin e thellë për  njerëzit dhe auoritetet e shtetit. BE qëndron në solidaritet me  Shqipërinë dhe është gati të ofrojë ndihmën e saj.” Mekanizmi Europian  për Mbrojtjen e Civilëve dhe Qendra Koordinuese për Rastet e  Emergjencave të BE ( ERCC) kanë ofruar ndihmë dhe janë në kontakt të  vazhdueshëm me autoritetet shqiptare.

Ndihmat e para janë nisur ndërkohë drejt  Shqipërisë. Sipas  njoftimeve të autoriteteve shqiptare, fqinjët e Shqipërisë, Italia dhe  Greqia kanë nisur avionët me ndihma në Shqipëri. Edhe Kosova  po  ndihmon. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli shkruan, se  “Kosova ka dërguar njësitë e saj për të ndihmuar autoritetet në këto  momente të vështira”. Autoritete të larta nga Kosova kanë bërë të ditur  dërgimin e forcave të ushtrisë dhe emergjencës.

Kancelarja  gjermane, Angela Merkel, sipas njoftimeve, ka vënë në përdorim  mekanizmin e ndihmës së emergjencës. Njoftimi vjen nga zyra e  kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Edhe Mali i Zi dhe Serbia janë të gatshme të ndihmojnë Shqipërinë.  Nga Mali i Zi dhe nga Serbia janë nisur dy ekipe të specializuara për  shpëtimin në raste katastrofash. Nga Rumania janë nisur ndërkohë dy  aeroplanë ushtarakë shpëtimi, pritet të mbërrijnë në Shqipëri edhe  ndihmat nga Turqia.

Reagime pas tërmetit në Shqipëri erdhën edhe  nga Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli. Ai shkroi në  twitter, se “jam thellësisht i prekur për lajmet e tërmetit shkatërrues  në Shqipëri. E gjithë Europa është solidare me vendin dhe njerëzit.  Mendimet tona janë me viktimat dhe të dashurit e tyre.”Solidaritet me  Shqipërinë ka treguar edhe fituesi i zgjedhjeve të fundit në Austri, dhe  ish-kryeministri i Austrisë, Sebastian Kurz. “Mendimet e lutjet e mia  janë me shqiptarët, veçanërisht me familjet e viktimave të tërmetit. Ne  jemi të gatshëm për ndihmë.”

Edhe kryeministri i Bullgarisë, Boiko Borissov, i cili ka telefonuar  kryeministrin Rama për të ofruar ndihmë, shkruan në twitter se e ndan  dhimbjen me shqiptarët në këtë ditë të vështirë dhe shprehim shpresën  për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve e restaurimin e dëmeve  materiale. Jemi gati të ndihmojmë.” Kryeministri i Maqedonisë së Veriut,  Zoran Zaev, po ashtu ka ofruar ndihma në një telefonatë me  kryeministrin Rama. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola  Dimitrov shkruan se “jam thellësisht i prekur për lajmin e humbjes së  jetëve në Shqipëri. Gati të ndihmojmë.” /DWelle

5 12

deme4

1 4

Artikulli paraprakMacron flet shqip: “Franca sot është solidare me Shqipërinë”!
Artikulli tjetërQytetarja nga Durrësi: I jemi falenderues Kosovës, po na ndihmon më shumë se vetë Shqipëria