Pastrimi i politikës nga individë me rekorde kriminale është rikthyer në ҫështje të nxehtë dite në Tiranë. 4 vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Dekriminalizimit të Politikës duket se ai nuk i ka plotësuar pritshmëritë.
Dy kryetarë socialistë bashkish, në Bashkinë e Shkodrës dhe atë të Vorës, të zgjedhur 2 muaj më parë në Lokalet 2019, sipas opozitës, janë me rekorde kriminale. Të dy i kanë fshehur ato në plotësimin e formularëve përkatës në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
Njëri, Valdrin Pjetri në Shkodër dha dorëheqjen, kur opozita publikoi dokumenta që vërtetonin dënimin e tij në Itali për shitje droge, në vitin 2003, kur ishte student. Tjetri, Agim Kajmaku, në Vorë, akuzohet nga opozita se po në vitin 2003, u arrestua në Greqi për përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të fallsifikuara. Ai u arratis nga burgu pa kryer dënimin, erdhi në Shqipëri, ndryshoi identitetin dhe u bë biznesmen i pasur. Sipas opozitës Kajmaku kërkohet edhe sot e kësaj dite nga drejtësia e Greqisë.
Të enjten, (29.08.2019) opozita publikoi dokumenta që sipas saj vërtetojnë sa më lart për Agim Kajmakun. Por ai i quan akuzat e opozitës “shpifje, sulm politik” dhe vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së Vorës. Dorëheqja ose jo e Agim Kajmakut, do të varet nga rezultatet e hetimit, që me kërkesën e opozitës po kryen për atë Prokuroria e Përgjithshme.
Të inkriminuarit në politikë – prurje nga biznesi
Dukuria e futjes në politikë të personave me rekorde kriminale u shfaq në Shqipëri për herë të parë në zgjedhjet parlamentare 2009, të fituara atëherë nga Partia Demokratike, (PD). Sistemi zgjedhor i centralizuar, që u përdor së pari në ato zgjedhje, bëri të mundur që të hynin në parlament persona me rekorde kriminale, gjë që vijoi edhe në zgjedhjet parlamentare 2013, të fituara nga Partia Socialiste, (PS). Të dyja palët brenda një dekade forcuan modelin politik të imunitetit, paprekshmërisë që individë/ biznesmenë të pasur me rekorde kriminale mund fitojnë përmes hyrjes në politikë.
Prof. Afrim Krasniqi, studiues, autor i librit,”Dekriminalizimi – Gjendja, Problematikat dhe Pritshmëritë ”, botuar me mbështetjen e fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”, thotë për Deutsche Wellen, se të gjitha rastet e individëve të inkriminuar vijnë nga biznesi dhe jo politika. “Të gjithë të inkriminuarit e deritanishëm, deputetë në Parlament apo kryetarë bashkish, janë prurje aksidentale nga biznesi, lobimi dhe financimi elektoral. Asnjë prej tyre nuk është zgjedhur nga partitë politike përmes garës por janë diktuar nga lart, nga drejtuesit e partive”.
Partitë – pa vullnet politik
Kryetari i PS, kryeministri Rama tha ditët e fundit se Valdrin Pjetri, „doli mollë e kalbur”, për të cilën PS ” nuk mban përgjegjësi por reagon duke e flakur atë”. Rasti i flakjes së Valdrin Pjetrit shfaqet deri tani si i vetmi në spektrin politik të Tiranës. “As deputetët që humbën mandatin për shkak të rekordeve kriminale, as ndonjë prej tyre që sot ndodhet në burg, as ish-kryetarët e bashkive të dorëhequr apo në listën e zezë të SHBA nuk
janë përjashtuar nga partia e vet politike. Përkundrazi, ata janë deleguar në bazë dhe vijojnë të jenë aktivë në fushata elektorale , të ushtrojnë “de facto” më shumë ndikim në zonat e tyre lokale sesa ai që ushtronin kur ishin në parlament apo në vendimmarrjen politike. Ata vijojnë të jenë përfitues privilegjesh si ish-deputetë, ish kryetarë bashkish dhe në ndonjë rast edhe të rikandidojnë në zgjedhjet parlamentare apo lokale” thotë për DW, Prof. Krasniqi.
Ai mendon se kjo situatë i ka rrënjët tek financimi i partive politike nga burime private “që kanë aktivitete kriminale dhe korrupsion”. Dy rastet e fundit kanë nxjerrë në dritë mangësitë e ligjit të dekriminalizimit që bëri të mundur largimet daljen „de jure” nga politika por jo „de facto” të inkriminuarve, në 4 vitet e fundit të zbatimitt ë tij.
Ligj jo efikas, institucione të dështuara
Ligji i dekriminalizimitt të politikës hyri në fuqi në vitin 2015. Sistemi zgjedhor i centralizuar, me të cilin u zhvilluan për herë të parë zgjedhjet parlamentare 2009 hapi dritën e gjelbër për hyrjen në Parlament të personave të pasur, me rekorde kriminale. Dukuria vijoi edhe në zgjedhjet e vitit 2013, të fituara nga PS dhe u bë shqetësim i opozitës së kryesuar nga PD, që mori nismën për ligjin në fjalë.
Ligji, i miratuar nga dy palët ndalon “ҫdo individ, që në të kaluarën është dënuar nga gjykatat vendase apo të huaja, për t’u zgjedhur apo emëruar në funksione publike”. Pas hyrjes së tij në fuqi, pati largime dhe dorëheqje të figurave publike me rekorde kriminale nga PD dhe PS. Por rastet e freskëta të Shkodrës dhe Vorës tregojnë se ky ligj nuk po plotëson pritshmëritë për ҫrrënjosjen e hyrjes në politikë të inkriminuarve.
“Ligji ka mangësi. Ai penalizon ata që plotësojnë formularin e dekriminalizimit, në të cilin ka elementë kërkues që nuk janë në ligj. Rreth 40% e figurave publike që janë larguar për shkak të rekordeve kriminale, janë penalizuar jo nga ligji, por nga formulari, ” thotë për DW, Prof. Krasniqi. Rastet Pjetri dhe Kajmaku tregojnë edhe dështimin e institucioneve të verifikimit, përfshirë edhe Shërbimet Sekrete aq më tepër kur është fjala fjala për persona të pasur, që hyjnë në politikë nga biznesi.
SPAK – faktor kyҫ për ndryshim
Rastet e dy kryebashkiakëve socialistë, njëri i dorëhequr dhe tjetri në pritje të rezultatit të hetimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, kanë ngjallur debat në PS. Kryetari i saj dhe kreu i qeverisë Rama flet për përgjegjësi të individit dhe jo të partisë. Ish-Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kundërshtoi Ramën, në mes të kësaj jave ( 28.08) kur në mbledhjen e kryesisë së PS tha, se ” PS ka përgjegjësi të madhe në shfarosjen e fenomenit të rikthimit në PS të njerëzve me të kaluar të dyshimtë dhe se duhet një reformë politike brenda partive politike, për të sjellë një kulturë të re politike.”
Prof. Krasniqi thotë për DW se “reformimi i partive politike duhet t’i detyrojë ato, përmes ligjit të partive, të bëjnë zgjedhje të brendshme konkurruese, të jenë transparente dhe të mbajnë përgjegjësi. “Krahas reformimit të partive, duhet reforma e sistemit zgjedhor për t’i dhënë fund modelit politik “i forti blen vota për të blerë më pas pushtetin”. Ligji duhet të detyrojë partite të bëjnë transparente burimet e tyre financiare dhe të ҫdo kandidati. Një faktor kyҫ pritet të jetë SPAK, që do të ushtrojë presion të vazhdueshëm ndaj kryetarëve të partive për ta bërë të pamundur hyrjen në politikë të individëve me rekorde kriminale, por me fuqi të mëdha financiare dhe lobuese në politikë”, thekson Prof. Krasniqi për DW. /DW/