Gazeta greke “To Ethnos” shkruan se, Shqipëria po na bombardon me drogë, ndërsa policia e lejon vetë trafikimin. “Nga “kanabistani” shqiptar që vitin e kaluar prodhoi sasinë rekord të drogës në 20 vitet e fundit, me plantacione thuajse në të gjithë territorin e vendit, po vërshojnë sasi të mëdha në çdo mënyrë të mundshme, nga toka dhe deti, në drejtim të Greqisë dhe Italisë.
Vetëm në veri-perëndim, vetëm në një muaj e gjysmë nga fillimi i këtij viti, policia ka sekuestruar në total më shumë se 1.5 ton hashash. 3.7 ton janë sekuestruar në vitin 2016 dhe vetëm 400 kilogram në vitin 2015”, shkruan gazeta greke.
Një pjesë e madhe e 3.7 tonëve të vitit të kaluar u kapën në muajt e fundit të 2016-ës. Kësaj duhet t’i shtohen edhe sasitë e konsiderueshme që janë kapur gjatë muajve të fundit nga autoritetet në Portin e Korfuzit dhe në aksin Igumenicë-Prevezë. Sasi të mëdha të hashashit shqiptar janë sekuestuar edhe në rajone të tjera të vendit.
Në të njëjtën kohë në Adriatik është një luftë e vazhdueshme dhe e përditshme në mes të autoriteteve italiane, të udhëhequr nga Guardia di Finanza dhe shqiptarë që transportojnë sasi të mëdha të hashashit, kryesisht të papërpunuar.
Trafiku kryhet në Bari, në Brindisi, në Leçe, në ngushticën e Otrantos, në Detin Egje drejt Korfuzit në një distancë më pak se 80 kilometra nga ishulli i Othonous dhe Gjirin e Tarantos, ku shqiptarët kontrabandistë gjejnë strehë në bashkëpunim me mafian italiane.
Në luftën me trafikantët shqiptarë të hashashit, autoritetet italiane kanë edhe ndihmën e FRONTEX.
Raportet negative nga organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe sulmet e forta ndaj kryeministrit të Shqipërisë nga opozita, e cila e akuzon atë se e ka kthyer vendin në “kanabistan”, e kanë detyruar Edi Ramën të thyhet.
Mijëra shqiptarë të udhëhequr nga opozita kanë dalë në rrugë që nga fillimi i javës për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë së tij. Ata e akuzojnë atë se, ai dhe partia e tij janë të lidhur me trafikun e drogës, me paratë e të cilit do të financojnë fushatën zgjedhore.
“Nga ana e saj, qeveria e Edi Ramës përpiqet të tregojë se po punon shumë mirë me autoritetet italiane në luftën kundër kultivimit dhe trafikut të kanabisit. Kjo sipas palës shqiptare ndodh edhe në Greqi, por të dhënat aktuale tregojnë falimentimin e autoriteteve shqiptare. Në kundërshtim të vazhdueshëm me një seri elementësh për plantacionet e mëdha të marijuanës, Edi Rama thjesht bën një lojë numrash.
Në fillim të tetorit, kreu i policisë shqiptare deklaroi se në vitin 2016 shkatërroi në total prej 2.5 milionë bimë kanabis në të gjithë vendin, ku në vitin 2013 shifrat flisnin për rreth 90.000 rrënjë, në vitin 2014 për 530.000 dhe në vitin 2015 arriti në 780.000.
Megjithatë, të dhënat nga muajt e fundit të vitit 2016 dhe të fillimit të vitit 2017 tregojnë se, ngarkesa shumë të mëdha hashashi po vijnë në Greqi e Itali nga trafikantët shqiptarë.
Të dhënat për vetëm 40 ditët e para të vitit 2017 tregojnë se, vetëm Guardia di Finanza ka konfiskuar 9 ton hashash shqiptar. Kjo është 1/3 e sasisë së kapur gjatë gjithë vitit 2016.
Guardia di Finanza dhe roja bregdetare italiane ka përdorur anije moderne detare dhe aeroplanë e helikopterë që patrullojnë nga ajri”, shkruan gazeta greke.
340 kg drogë kalon doganën dhe sekuestrohet në Greqi
Një sasi e madhe droge është sekuestruar nga policia greke në rajonin e Janinës, ndërsa në pranga ka përfunduar një 45-vjeçar shqiptar. Policia greke në një komunikatë thotë se ka sekuestruar një sasi prej 340 kg drogë e llojit kanabis, e cila ishte e ndarë në 110 pako.
Policia greke bëri të ditur se kishte marrë informacione paraprake mbi lëvizjen e një mjeti me drogë, ndërsa ka organizuar operacionin policor në kryqëzimin në Kalpaki, duke arrestuar tregtarin shqiptar të drogës, operacion i zhvilluar gjatë ditës së dielë.
Lënda narkotike ishte ngarkuar në automjet. Sipas policisë greke, automjeti kishte targa të falsifikuara. Policia ka sekuestruar edhe 100 euro, dy telefona celularë, të përdorur nga 45-vjeçari për tregtinë e paligjshme të drogës. Hetimet po i vijon Departamenti i Narkotikëve në Janinë.