Media italiane apel Kryeministrit Conte dhe ministrit Di Maio: Bëni diçka, menjëherë për Alvinin e vogël!

Emisioni investigativ italian “Le Iene” bën sërish apel për shpëtimin e Alvinit të vogël, 11-vjeçarit shqiptar që ndodhet në kampin “Al Hol” në Siri i vetëm, historia e të cilit përloti të gjithë.

“Babai Afrim u detyrua të linte në një kamp burgu për terroristët, të voglin e tij Alvin, të sjellë në Siri nga nëna e tij e radikalizuar. Afrim Berisha e gjeti të birin pas 5 vjetësh falë gazetarit të ‘Le Iene’ Luigi Pelazza.

Kanë kaluar ditë nga thirrja e këtij emisioni drejtuar Kryeministrit Conte dhe Ministrit të Jashtëm Di Maio për ta shpëtuar atë dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Alvin është gjithmonë në mesin e terroristëve madje edhe rrezikon të përfundojë nën bombardimet turke: ta sjellim këtë fëmijë përsëri në Itali para se të jetë shumë vonë!”, shkruan Le Iene.

“Jemi në ditën e gjashtë që nga apeli ynë pas emisionit të Luigi Pelazza dhe Alvin i vogël, pasi ka mundur të përqafojë përsëri falë Le Iene, babain Afrim pas 5 vjetësh është përsëri vetëm në kampin sirian të Al Hol. I vetëm dhe në rrezik, duke rrezikuar nga bombardimet e ushtrisë turke dhe në mëshirën e militantëve të ISIS, të cilët morën një pjesë të kampit pas largimit të shpejtë të rojeve kurde. Ai jeton atje, në një kamp burgu për ish-militantët e të ashtuquajturit Shteti Islamik, sepse nëna e tij e largoi nga Italia për ta çuar në Siri kur u radikalizua.

Në këto gjashtë ditë asnjë autoritet ende nuk ka bërë diçka për ta larguar nga ai ferr këtë fëmijë 11-vjeçar, që prej 5 vitesh jeton një jetë që nuk mund të jetë e pranueshme për askënd. E kemi treguar me imazhet e emisionit dramatik dhe prekës të Luigi Pelazza, i cili na tregoi historinë e Alvin”, shkruan më tej Le Iene.

Lindur në Itali nga prindër shqiptarë, Alvin u mor nga e ëma në vitin 2014, kur ajo vendosi të ikte në Siri dhe të jetonte nën flamujt e Shtetit Islamik.
Në vitin 2016, në një raportim të parë, Luigi Pelazza na tregoi për betejën e babait të tij Afrimit për ta sjellë fëmijën përsëri në Itali. Nga viti 2014 Afrimi nuk kishte mundur ta përqafonte djalin e tij, nga i cili ai mbante vetëm disa foto.

“Kur u kthyem tek ai, Afrimi na tha, me lot: ‘Kam 5 vjet që i shikoj këto foto’. Kuptuam se ishte vërtet koha për të bërë diçka dhe u nisëm për në Siri, në drejtim të kampit ku mund të ishte Alvin.

Duke hyrë në Al Hol, ku jetojnë mijëra gra të militantëve të ISIS me fëmijët e tyre, zbulojmë se nëna e Alvin, Valbona, u vra gjatë një bombardimi, së bashku me tre fëmijët e tjerë që ajo kishte nga lidhja me një militant të Shtetit Islamik. Vetëm Alvin i vogël shpëtoi, ndërkohë që çalon rëndë për shkak të shpërthimit që vrau nënën e tij”.

Pas një pritjeje të gjatë, babë e bir u takuan në një përqafim që dukej se nuk do të merrte kurrë fund. Skena është e mbushur plot gëzim por dhe zemërthyese në të njëjtën kohë: fëmija ishte i hutuar, ai duket i tërhequr por menjëherë e njohu babanë e tij të dashur.

“Zhgënjimi ishte shumë i madh kur Alvin i vogël e kupton se ai nuk mund të shkojë menjëherë në shtëpi me babanë e tij, sepse asnjë autoritet duket se nuk dëshiron të na ndihmojë të largojmë atë nga atje. Autoritetet shqiptare, fillimisht ambasadori në Turqi së pari thotë se do të na ndihmojë dhe më pas mbyll telefonin me Luigi Pelazzan. Duke larë duart me fatin e këtij fëmije.

Kanë kaluar gjashtë ditë që kur treguam që Alvinit iu desh të hynte sërish në kamp pa babain e tij. Babait Afrim iu desh ta braktiste në dëshpërimin më të thellë fëmijën e tij.

Kanë kaluar pesë ditë nga bombardimet e artilerisë turke dhe revoltave në kamp, me rojet kurdë që u arratistën dhe njerëzit e ISIS që janë kthyer duke komanduar në disa zona”, shkruan faqja e Le Iene.

Ky emision dhe Luigi Pelazza i kanë bërë një apel kryeministrit italian Giuseppe Conte dhe ministrit Luigi Di Maio që ta ndihmojnë babain e Alvin, Afrim Berisha të sjellë në shtëpi djalin e tij të vogël.

“Ne do ta ndjekim përditë këtë çështje, me një numërim mbrapsht në Iene.it për të kujtuar ditët që i vogli po kalon në atë kamp të burgosurish. Ditë në të cilat jeta e Alvinit është gjithmonë e më shumë në rrezik. Publikut tonë i kërkojmë të shpërndajnë apelin tonë deri sa të arrijë në veshët e atyre që kanë fuqi për ta ndihmuar vërtetë 11-vjeçarin. President Conte e ministër Di Maio: bëni diçka, menjëherë!”, është thirrja e Le Iene.

Për të bërë të mundur bashkimin e 11-vjeçarit me të atin e tij, autoritetet e kampit kërkojnë prezencën e një diplomati shqiptar ose një person i autorizuar nga qeveria në Tiranë. Por deri tani, as ambasadori në Turqi Gent Gazheli ashtu edhe autoritetet në Shqipëri, nuk kanë bërë asnjë përpjekje.

Për më tepër, pas publikimit të rastit në “Le Iene”, ambasadori Gazheli mbylli edhe llogarinë e tij në Facebook.

https://www.iene.mediaset.it/2019/news/conte-di-maio-alvin_548203.shtml?fbclid=IwAR1kYEbmBIUc7LNncm7qqOMCmw4sYhqzTffK7v1zuLe5pbsbEz82S5mA2pc

auto auto 204611314 eaca4ade 7543 4451 ab98 3415be88dcb715713941791571479679

Artikulli paraprakEdhe ish-zv/presidenti i socialistëve europianë godet Ramën: “Bos i madh” në Shqipëri 
Artikulli tjetërArrestohet shefi i objekteve në policinë e Tiranës dhe nipi i tij