Akuza të rënda ndaj policisë shqiptare janë ato që formulohen nga media italiane “Varese News”, që nëse rezultojnë të vërteta përbëjnë një skandal të mirëfilltë. Akuzat vijnë për rastin e vrasjes mafioze të dy kushërinjve Leshaj (Alban e Agron) në komunën italiane Canegrate, pjesë e provincës së Milanos, më 10 nëntor 2016. Krim për të cilin media italiane raporton se një nga autorët e mundshëm, i cili dyshohet se fshihet në rrethin e Matit, nuk është kërkuar nga policia shqiptare, duke injoruar kështu një urdhër të kolegëve italianë.
Sipas hetimeve të deritanishme të autoriteteve italiane, vrasja ka ndodhur në vrazhdën e një përplasje mes dy grupeve për pazaret e drogës. “Një nga pesë të kërkuarit nuk është arrestuar nga policia shqiptare dhe ndoshta kurrë nuk është kërkuar, kur hetuesit italianë kanë urdhëruar kërkimin e tij në Ulëz të Matit. Operacioni që duhet të zhvillohej në të njëjtën kohë në Itali e Belgjikë, nuk ka nisur kurrë (në Shqipëri), duke i lënë këtij të dyshuari mundësinë për t’i shpëtuar drejtësisë italiane”, shkruan “Varese News”.
“Mëngjesin e 5 majit në fakt, u krye një aksion në nivel ndërkombëtar për të arrestuar të gjithë grupin që dyshohen kanë marrë pjesë në pritën në rrugën ‘Morbegno’. Ajo që mungon në Gjykatën e Apelit është pikërisht personi që dyshohet se është fshehur në banesën e prindërve të tij në Shqipëri”, vijon raportimin media italiane.
Kujtojmë se pikërisht më 5 maj, mediat italiane kanë raportuar për një aksion ndërkombëtar në Itali dhe Belgjikë ku u arrestuan 5 persona. Ndërkohë, nga policia shqiptare, nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar lidhur me zhvillimin e një aksioni policor për kërkimin e personit, për të cilin sipas raportimeve, kanë marrë indikacione nga kolegët italianë për vendndodhjen e mundshme.
“Anëtarët e klanit që kanë qëlluar viktimat kanë të njëjtin mbiemër me viktimat (pra Lleshaj), por thonë që nuk janë të afërm. Vështirësitë e hasura nga zëvendësprokurori Luca Pisciotta, i cili në pak muaj ka arritur të rindërtojë formimin e strukturuar të dy grupeve, lidhen kryesisht me mungesën e bashkëpunimit nga ana e të gjithëve, kryesisht të arrestuarve. Nëse është bërë e mundur gjetja e autorëve të atentatit, më e vështira (për momentin) është rindërtimi i trafikut për të cilat ishin duke luftuar të dy grupet”, shkruhet në artikullin e publikuar këtë të enjte nga “Varese News”.