Nga Luçiano BOÇI
Sa më shumë ngushtohet hapësira jetike e Ramës në pushtet, aq më shumë shtohet agresiviteti i tij ndaj medias kritike e gazetarëve kritikë.
I projektuar si regjim kriminal që mbahet në këmbë nga propaganda, kjo ngrehinë e kalbur, ka investuar në këtë sektor miliona euro dhe mijëra interesa.
Ligjet dhe organizmat që mbulojnë mediat, kanë pësuar ndryshime thelbësore, më shumë se çdo fushë tjetër dhe sulme të paprecedenta, sa herë që në horizont i është shfaqur interesi për ta bëre.
Sidomos media online mbetet targeti kryesor në këtë pikë, për shkak të spontainitetit jokontrollues që e karakterizon dhe për arsye se disa prej tyre kanë arritur, me teorinë i pikës së ujit në gurë, ta gërryejnë me sukses themelin kriminal të pushtetit.
Rezultati është i prekshëm nga të gjithë. Liri mediatike e njëjtë me regjimet afrikane. Televizione kombëtare të kapura me tek-tuk ndonjë emision opozitar, sa për sy e faqe dhe televizione neës, me fare pak përjashtime, të presionuar për të bëre vallëzimin dans me pushtetin.
Përtej analizës, gjithçka që prodhohet në këtë parcelë gjigante të jetës e interesit publik, afekton opinionin qytetar në masë të madhe dhe i ngjason hashashit trullosës. Është një lloj kriminaliteti psiko-social i mbrojtur nga shteti që xhiron miliona euro për ata që i kanë themeluar dhe që me paraqitjen mondane, kërkon të zgjasë ditët e një regjimi të diskretituar.
Teknika programore që përdoret është e sofistikuar dhe e ngritur në stadin e një industrie perfide, që në pjesën më të madhe komandohet nga zyra e propagandës në Kryeministri, sikurse nga drejtorë e pronarë ambiciozë interesash.
Por ky stad ende nuk kënaq orekset e Ramës. I njohur për detajin e hakmarrjes, ai është i angazhuar personalisht për të bërë zgjedhje drejtuesish emisionesh, panelesh e temash.
Tingëllon absurde për cilindo, por ai që e njeh mekanizmin që Rama përdor për të kontrolluar deri në psikopati cdo opinion kundërshtar, e kupton më së miri.
Kjo mënyrë sjellje e tij shpjegon sot sulmet banale ndaj emrave me zë dhe ndikues në opinion.
Goditjet ndaj Rakipit ishin paralajmëruar kohë më parë, që kur gazetari i njohur u kërcënua me jetë.
Rasti i Krastës është një vazhdimësi logjike e palogjikës së Ramës, i cili gazetarin e ka të listuar në blacklistën personale, ku gjenden dhe shumë emra të tjerë të njohur e të panjohur.
Rastet e Zhejit e Lubonjës, shpalosin kompleksin e inferioritetit të tij që në pushtet shfaqet si agresivitet dhe sulm personal ndaj njerëzve që mbartin e transmetojnë vlera.
Lista e atyre gazetarëve që kanë pësuar sulme nga Rama është e gjatë. Ndërsa ajo e tyre që e kanë prekur arrogancën e tij qoftë dhe njëherë është ezauruese.
E gjithë kjo panoramë vizaton qartë gjendjen e rënduar të Ramës dhe reaksioni që prodhohet është më i fortë dhe se vetë emisionet rresht që do kishin në shenjestër qeverinë e tij.
Por a e di Rama efektin e veprimeve të tij?
Sigurisht ai ka kalkulimet e tij dhe vazhdimisht provokon me veprime të tilla. Ajo që duket se e josh atë drejt vendimeve të tilla është nga një anë, zhurma që ato bëjnë duke larguar përkohësisht vëmendjen nga pikat e nxehta të politikës siç është kriminalizimi dhe kriza ekonomike.
Por ajo që prevalon më shumë, duket se është mbytja e zërave kundër, e shoqëruar me ndjenjën e një hakmarrje psiko-rrugore që Rama e ka sa të lindur aq dhe të grumbulluar nga kurba problematike personale e ndërtimit të imazhit personal.
Personat në fjalë në shumë raste kanë dëshmuar se me dijenitë e tyre, mund ta shkërmoqin kollaj gjatësinë e Ramës.
Në fjalët e rrëfimet e tyre plot kuptim e stil, Rama zbulohet siç është.
Një banalitet njerëzor që fati, mediat dhe intriga me krimin e çoi në pallatin e pushtetit.
I kapur me dëshpërim Rama në rrëzim e sipër, kërkon të bëjë kurban ata që dikur i dhanë pamjen e zotnisë, njeriut që shkëlqen me mosmirënjohjen e tij.
Ndërkohë që ai vazhdon të mbysë zërat opozitarë, opozitarizmi ndaj tij është shndërruar falë opozitës politike dhe gazetarëve e mediave me personalitet, në një mision qytetar. Mision që është drejt finalizimit, sado që media e blerë e trysnuar e censuruar të detyrohet ta sfumojë atë. Gazetarët në Shqipëri gjithsesi janë më të lirë falë profesionalizmit të tyre e karakterit, se sa mediat.