Shqipëria është një prej debutueseve në Euro 2016 dhe një prej skuadrave më pak të kuotuara, por në Francë, kuqezinjtë do ta shesin shtrenjtë “lëkurën”. Ky është edhe opinioni i prestigjiozes ESPN, që theksonte se pavarësisht koeficientit 500 që Kombëtarja ka për ta fituar turneun dhe gjasat që kjo të ndodhë janë minimale, e sigurt është që përpara se vera të përfundojë, Shqipëria mund të shkaktojë një, apo edhe dy surpriza
Me gjithë golin e pësuar pas vetëm 56 sekondave lojë në miqësoren ndaj Katarit. Sipas ESPN skuadra e drejtuar nga Gianni de Biasi ka potencialin që të tronditë evenimentin më të rëndësishëm evropian, transmeton SuperSport. Një përfundim logjik, pas surprizave që Shqipëria ka shkaktuar në rrugën e saj drejt Euro 2016. Nga fitorja e vitit 2014 në Portugali, për të vazhduar me Francën në vitin 2015. Vendi i dytë në Grupin I kualifikues dhe bileta direkte për në turneun në Francë ishin rezultat i një ecurie fantastike.
Me paraqitje të tilla, nuk duket e pamundur që në finalet e turneut kuqezinjtë të regjistrojnë një fitore, e cila mund t’i ndihmonte të kualifikoheshin nga faza e grupeve. Përveç lojës fizike dhe mbrojtjes së fort, ESPN e vlerëson Kombëtaren edhe për aspektin psikologjik. Një skuadër që nuk dorëzohet kurrë. Ashtu si në miqësoren me Gjeorgjinë kur në tre minutat e fundit të lojës ishte në disavantazhin e dy golave dhe arriti të barazonte 2-2, apo në testin e muajit mars, ku edhe pse Austria kryesonte 2-0 pas 13 minutave lojë, Shqipëria mbeti e përqendruar dhe rihapi ndeshjen.
Përkundër problemit të golave të shpejtë të pësuar, Shqipëria nuk mund të quhet jashtë garës. Duke u kualifikuar në finalet e Kampionatit Evropian, kuqezinjtë mahnitën botën. Dhe askush nuk ka guximin të marrë përsipër rrezikun që të mendojë se të besuarit e De Biasit do të thyhen lehtë.