Mediat dhe gazetarët nën kërcënime të vazhdueshme nga oligarkët dhe politikanët e korruptuar

Nga Rigels Seliman

Në Shqipëri, media dhe gazetarët janë përballë një situate të vështirë, ku presionet dhe censura nga biznesmenë të fuqishëm dhe grupe të lidhura me politikanë të korruptuar kanë krijuar një klimë të pasigurtë për informimin e qytetarëve. Në vend që të ofrojnë informacion të paanshëm dhe të denoncojnë skandalet dhe aferat e korrupsionit, shumë media janë të detyruara të ndjekin një linjë të caktuar që i ka imponuar pushteti ekonomik dhe politik. Ky fenomen ka bërë që shumë gazetarë të jenë të ekspozuar ndaj kërcënimeve, shantazheve dhe presioneve, duke rrezikuar lirinë e shprehjes dhe informimin e drejtë, sikundër ka ndodhur me mua personalisht.
Një shqetësim tjetër është se shumë gazetarë janë targetuar me padi të montuara dhe akuzuar për shpifje, vetëm për shkak të punës së tyre investigative dhe denoncimeve të pastrimit të parave, korrupsionit dhe lidhjeve kriminale. Gazetarët, shpesh janë detyruar të mbrohen vetë, pasi janë braktisur nga shoqatat profesionale të gazetarëve, si dhe nga institucione ndërkombëtare, të cilat në disa raste janë të vetmet që duhet të ofrojnë mbështetje për ta, por që ka ndodhur e kundërta pasi ata janë bërë palë me oligarkët dhe politikanët. Kjo gjendje e ka përkeqësuar imazhin e shtetit shqiptar si një vend ku liria e medias është e cenuar dhe ku presionet ndaj gazetarëve janë të vazhdueshme.

Përveç kësaj, situata është ende më e ndërlikuar nga ndikimi i oligarkëve dhe politikanëve që kanë përfituar nga ligje të porositur dhe projekte të dobishme për interesat e tyre personale, duke minuar çdo mundësi për zhvillim të një klime të shëndetshme për biznesin dhe investimet e huaja. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për ligjin e investimeve strategjike, ku theksohet se përfitimet janë përqendruar në duar të pakta të lidhura ngushtë me pushtetin, tregon qartë se Shqipëria është shndërruar në një terren ku mundësitë për investitorët e huaj janë të kufizuara dhe shumë kompani të huaja janë shmangur nga ky ligj. Pra janë këta oligark, sikundër kanë dalë edhe në dosjet e SPAK të Ilir Metës dhe Sali Berishës që po asifiksojnë jovetëm klimën e biznesit, por edhe mjedisin mediatik, pasi pushteti i tyre politik e financiar është i madh, si pasojë e simbiozës që kanë me qeveritë shqiptare ndër vite e politikanë të fuqishëm.

Kështu që përballë kësaj situate, ne si gazetarë, kemi mision të mbrojmë të vërtetën dhe të luftojmë kundër padrejtësive që po ndodhin në vend, duke denoncuar korrupsionin dhe krimin që mbështet pushtetarët dhe biznesmenët e fuqishëm. Ne mbështesim veprimet e institucioneve si Prokuroria e Posaçme dhe mbështetjen që ofron SHBA dhe BE për të luftuar korrupsionin dhe pasurimin e paligjshëm të individëve të lidhur me politikën dhe biznesin. Sidoqoftë, kjo betejë është e vështirë dhe kërkon kurajon e gazetarëve që të vazhdojnë të denoncojnë pa frikë dhe të kërkojnë një shoqëri më të drejtë për shqiptarët dhe investitorët e huaj që dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

Exit mobile version