Protesta 1 orëshe e opozitës në Tiranë gjeti pasqyrim të gjerë në mediat ndërkombëtare. Nga prestigjozja New York Times, Reuters, Assosiated Press, San Francisco Chronicle, Daily Herald, France 24 etj, te gjitha mediat i kanë bërë jehonë protestës së djeshme ndërsa kanë vënë theksin tek kauza e lëvizjes popullore shqiptare për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike.
“Mbështetësit e opozitës në Shqipëri u ngritën në protestë të hënën duke bllokuar rrugët nacionale për të protestuar për zgjedhje të lira. Ata kërkojnë garanci për votën e lirë përmes krijimit të një qeverie teknike që do të udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve të lira” thuhej në pasqyrimin e mediave ndërkombëtare.
Agjencia italiane e lajmeve “ANSA” tha se shqiptarët janë ngritur në protesta ku kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të lira.
Disa nga mediat italiane, greke dhe deri në SHBA kanë pasqyruar protestën e djeshme 1 orëshe dhe paqësore të zhvilluar në Shqipëri.
Ajo që vihet re në shkrimet e medieve ndërkombëtare është fryma pozitive me të cilën shikohet protesta në Tiranë, ndërsa vend të veçantë ka zënë fakti se nuk kishte asnjë lloj incidenti.