Mediat e huaja: Shqiptarët ngrihen në revoltë kundër shtetit të drogës

Mediat e huaja i kanë kushtuar vëmendje dhe hapësirë të veçantë protestës së paralajmëruar më 27 janar, protestë e cila pritet të jetë ndër më të mëdhatë që janë zhvilluar ndonjëherë. Protesta që do të zhvillohet nga opozita shqiptare më 27 janar, është pasqyruar në disa nga mediat e huaja që kanë filluar t’i kushtojnë vëmendje zhvillimeve në Shqipëri. Media e rëndësishme bullgare, “Novinite” ka publikuar një artikull me titull “Shqiptarët do protestojnë kundër shtetit të drogës”, ku ndër të tjera shkruhet se opozita do të organizojë një protestë masive kundër varfërisë, krizës ekonomike dhe problemeve në sistemin e drejtësisë më 27 janar. Udhëheqësi i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha u kërkoi të gjithë shqiptarëve të bashkohen me protestën. Sipas tij, “Shqipëria aktualisht vepron si një komb i drogës”. “Sot, jetojmë në një komb të drogës, siç thuhet në raportin e fundit të CIA-s dhe u ndërtua në zgjedhje të vjedhura, një Parlament të paligjshëm, një kryeministër i paligjshëm që caktoi një prokuror të paligjshëm për të mbuluar të gjitha dosjet që lidhen me korrupsionin”, tha Basha. Edi Paloka akuzoi kryeministrin Edi Rama për shumicën e krimeve të vendit, duke përfshirë trafikimin e drogës dhe korrupsionin. “Qëllimi i protestës është heqja e Edi Rama nga pushteti dhe ai nuk duhet të jetë më kryeministër i Shqipërisë”, tha Paloka, cituar nga radioja e Tiranës. Interesi në Bullgari për zhvillimet në Shqipëri është rritur ndjeshëm, pasi vendi ballkanik mori drejtimin e presidencës së Bashkimit Europian më 1 janar të këtij viti. Për gjashtë muaj, Sofia do të ketë një rol vendimtar në avancimin e Ballkanit Perëndimor në proceset integruese. Ndërkohë që “Independent Balkan News Agency” (IBNA) pasqyron fjalët e kryedemokratit, Lulzim Basha, i cili bën thirrje për bashkimin e shqiptarëve kundër lidhjeve të qeverisë me krimin e drogën, si dhe dhënien fund të krizës ekonomike. Partia Demokratike dhe natyrisht i gjithë koalicioni opozitar dhe të gjithë aleatët në këtë përpjekje të përbashkët, kanë nisur dhe do të intensifikojnë me të gjithë qytetarët shqiptarë një dialog për t’i paraprirë kësaj proteste. “Ftojmë të gjithë opinionbërësit, liderët e opinionit në këtë shoqëri, që frymën e refuzimit që sot preket në çdo shtëpi shqiptari, preket në çdo shesh qyteti, në institucionet publike dhe ndërmarrjet private, ta kthejmë në një frymë proteste”, citojnë Bashën mediat e huaja. “Më 27 janar në orën 12:00 do të jemi në shesh për të zgjuar ndërgjegjen qytetare. Protestat do të jenë të pandalshme, do të jetë tradhti kombëtare, nëse do të lejojmë Ramën të largojë shqiptarët nga vendi”, citohet kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Exit mobile version