Mediat greke: Baroni i drogës lidhje me Ramën dhe Tahirin

Mediat greke tashmë kanë filluar të publikojnë të plotë dhe pa iniciale emrin e “Baronit të Ballkanit” që drejton organizatën kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. “EpirusPost”, media që mbulon lajmet në veriun e Greqisë që dhe shumë media kryesore të Athinës iu referua për këtë transport droge dhe ngjarje të tjera të lidhura me shqiptarët, ka denoncuar me emër Klement Balilin, si “Escobari i Ballkanit” dhe që mban postin e kreut të Transporteve në qytetin e Sarandës.
Sipas këtij portali grek, kjo ngjarje ka shkaktuar stuhi të madhe politike në Shqipëri ditët e fundit. “Kjo për shkak se një nga anëtarët udhëheqës të bandës ndërkombëtare, kreu i Transportit në Sarandë, thuhet se ka lidhje të ngushta me Kryeministrin Rama dhe ministrin e Punëve të Brendshme”, citon “EpirusPost”.
“Më parë ai u etiketua si “Baroni i Ballkanit” nga anëtarë të Partisë Demokratike, e cila me deklarata të njëpasnjëshme, ka kërkuar arrestimin dhe dorëheqjen e ministrit Tahiri, i cili është në qendër të kritikave për trafikun e drogës prej disa muajsh. Përmes një deklarate publike, Balili tha se nuk ka të bëjë me trafikun e drogës. Për më tepër, ai iu përgjigj akuzave të PD duke i cilësuar politike”, thuhet në artikullin e medias greke “EpirusPost”.
Gazeta  greke “Kathimerini” shkruante dje se, Klement B, drejtori i Transporteve në Sarandë, përdorte pseudonimin “Kelly” gjatë veprimtarisë së tij në organizatën e trafikut. Sipas gazetës greke, grupi i trafikut të drogës vepronte në 5 vende, Spanjë Belgjikë, Holandë, Bullgari dhe Itali, ndërsa Greqia ishte vendi nga ku bëhej transporti i drogës. Në rrjet, Shqipëria përmendet si vend furnizues i drogës, prej nga transportohet kryesisht në rrugë ujore, e pastaj shpërndahet me kamionë.
Ndërkohë, mediat greke nxjerrin në skenë edhe emrin e një tjetër shqiptari, i cili thuhet se drejtonte grupin e trafikut të drogës. Ai është 50-vjeçari Dhimitër. P. i cili jeton në Belgjikë, dhe njihet me pseudonimin “Walter”. 50-vjeçari ka shtëpi në Tiranë, Athinë dhe ka depozita bankare 366 mijë euro në bankat greke, 460 mijë euro në Shqipëri dhe 100 mijë euro në Belgjikë.
Pala greke, mësohet se ki ka nisur palës shqiptare një letë porosi, në bazë të të cilës kërkohet edhe arrestimi i Klement Balilit. Janë burime diplomatike që konfirmojnë këtë informacion. Klement Balili më herët ishte shpallur në kërkim në Greqi.
Ndërkohë, sipas mediave greke, mësohen edhe emrat e bashkëpunëtorëve shqiptarë të Klement Balilit si dhe “premtimet” që ai ju bënte atyre, në rast se arrestoheshin. Mos u shqetësoni. Nëse kapeni do të paguajë unë avokatë dhe do t’u mbroj familjet”. Këtë gjë u ka premtuar sipas mediave greke Klemend Balili dy bashkëpunëtorëve të tij, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj që kanë transportuar marijuanë në drejtim të Greqisë.
Klement Balili, 44-vjeç, konsiderohet nga mediat në Greqi si “Eskobar i Ballkanit” i cili drejton një kartel që trafikon sasi të mëdha lëndë narkotike në vendet e BE-së. Në një operacion gjatë ditës së martë, policia greke arrestoi në total 15 persona, ku pesë prej tyre në Zakynthos dhe dy në Belgjikë. Policia zbuloi në ishull 678 kg marijuanë, e cila në treg do të kapte një vlerë prej 1.5 milionë euro. Sipas hetuesve lënda narkotike është transportuar nga Shqipëria në Zakynthos në fund të muajit prill.
Klement Balili, një biznesmen i njohur në Sarandë, së fundmi është edhe pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Ky kompleks është ndër më luksozët dhe më modernët në bregdetin e Sarandës dhe më gjerë. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës. Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë. Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës.
Ndërkohë, Ministria e Transporteve ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Transporteve në Sarandë, Klement Balilin. Lajmi u dha nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai tha se, shkarkimi ka ardhur si pasojë e hetimit të nisur ndaj Balilit, pas dyshimeve se është kreu i një grupi të madh të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi e vende të tjera të BE-së.

Balili, prej dy muajsh në përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda

Prokuroria për Krime të Rënda prej dy muajsh po heton Klement Balilin, me dyshimin e përfshirjes në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të drogës. Autoritetet greke, që në mars të këtij viti i kanë kërkuar policisë shqiptare të verifikojnë disa numra telefoni dhe pseudonimin e një personi të njohur si “Keli”. Kjo kërkesë e palës greke, është referuar nga policia pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, të cilët kanë regjistruar edhe procedimin penal.
Gjatë këtyre muajve, thonë burimet, Prokuroria ka arritur të identifikojë numrat dhe përdoruesit e tyre si dhe personin me emrin “Keli” që rezultoi se ishte biznesmeni i njohur në zonën e jugut, Klement Balili.
Burimet pranë Policisë së Shtetit thanë se, gjatë përgjimit të numrave që kishte në përdorim Klement Balili, në bisedat me shtetas shqiptarë nuk është arritur të interceptohet ndonjë bisedë implikuese në trafikun e drogës.
Ndërsa gjatë përgjimit të numrave greke që Balili kishte në përdorim apo komunikimet me shtetasit grek, burimet thonë se këto biseda ende nuk janë zbardhur të përkthyera, për të parë ndonjë bisedë kompromentuese të tij. Për këtë fakt, mësohet se Policia dhe Prokuroria shqiptare i kanë kërkuar autoriteteve greke, të dhëna apo prova materiale shtesë që implikojnë Balilin në trafikun e drogës, për të lëshuar urdhër-arrestin ndaj tij në Shqipëri.
Nga ana tjetër, burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, konfirmuan faktin se në mesin e personave të përgjuar nga Prokuroria shqiptare janë edhe dy të arrestuarit në Greqi me cilësinë e skafistëve Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj. Të dy këta persona, thonë burimet janë pikasur që komunikonin edhe me Klement Balilin por në shumicën e rasteve bisedat janë të shkurtra ku përcaktohet vetëm vendi i takimit mes tyre.
Emri i Klement Balilit për Prokurorinë për Krime të Rënda nuk është i panjohur, pasi në korrik të vitit 2006 është arrestuar nga ky institucion me dyshimin e implikimit të tij në trafikun e drogës.
Arrestimi ka ndodhur pas bllokimit të furgonit me targa gjermane në rrugën Qafë-Muzinë-Delvinë, ku brenda tij u gjetën dhe sekuestruan 750 kg hashash. Për këtë dosje, u arrestuan edhe dy efektivët e policisë Gentian Baba dhe Ylli Kapo, ndërsa u shpallën në kërkim Pelivan Mehmetaj dhe Ermal Nika.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria urdhëroi lirimin e Klement Balilit dhe dërgimin në gjyq të 4 të pandehurve të tjerë, të cilët më pas u dënuan nga Gjykata e krimeve të rënda me 34 vite burg në total.

“Eskobari i Ballkanit”/ DEA amerikane përjashtoi policinë shqiptare nga operacioni

DEA amerikane ka preferuar të bashkëpunojë vetëm me autoritetet policore greke në zbulimin e rreth 700 kg canabis sattiva, të trafikuara nga Shqipëria, duke lënë policinë shqiptare jashtë loje. Ky fakt është lehtësisht i lexueshëm, për shkak se, pas zbulimit të grupit dhe lëndës narkotike të shpërndarë në disa qytete të Greqisë, me origjinë nga Shqipëria, autoritetet policore të vendit tonë kanë dy ditë që “luftojnë” në media për të evidentuar rolin e tyre në këtë operacion.
Por ky rol është, në rastin më të mirë inekzistent, ndërsa në rastin më të keq, DEA nuk ka pasur besim të bashkëpunojë me autoritetet policore shqiptare. Media greke ka disa ditë që raporton mbi operacionin e gjerë, si edhe mbi organizatorin e dyshuar të trafikut, shqiptarin nga Saranda, Klement Balili. Po ashtu, media shqiptare i referohet vetëm medias greke lidhur me detajet e operacionit.
E gjendur nën presion, Policia shqiptare reagoi vetëm pasditen e së mërkurës, nëpërmjet një deklarate “as mish, as peshk”, ku theksohet që është duke hetuar dhe nuk mund të japim detaje. Ndërkohë që publiku shqiptar, nëpërmjet informacioneve mediatike greke, ka kuptuar se cilët janë organizatorët e dyshuar, cilët kanë realizuar trafikun dhe ku shpërndahej lënda narkotike. Po ashtu, media greke ka publikuar edhe zyrtarin sarandiot, Klement Balili, si personin kyç të këtij trafiku.
Pra, detajet dhe emrat e organizatorëve janë bërë të ditura nga autoritetet greke, ndërkohë që policia shqiptare, zyrtarisht, ruan sekretin hetimor. Por, duke parë që shumë elementë kanë dalë në publik në Greqi, atëherë pikëpyetjet mbi rolin e Policisë shqiptare vijojnë të qëndrojnë në fuqi. Përsa kohë Policia shqiptare deklaron se nuk japim detaje, ndërkohë që detajet kanë dalë, atëherë krijohet bindja që, ose Policia e Shtetit nuk ka asnjë informacion mbi operacionin që pasoi trafikimin e sasisë gjigante të lëndës narkotike nga territori ynë, ose autoritetet policore shqiptare nuk kanë qenë aspak aktivë në veprime në terren, në kuadër të operacionit ndërkombëtar.
Më e besueshme është varianti i parë, sipas të cilit, Policia e Shtetit nuk ka asnjë informacion, pasi nuk duhet të jetë njoftuar nga partnerët ndërkombëtarë, e kryesisht nga DEA amerikane. Ky variant është mëse i besueshëm, pasi, nëse policia do të dinte informacione dhe, sipas dyshimeve të autoriteteve ndërkombëtare që mund të bashkëpunonte me trafikantët, atëherë operacioni në Greqi do të dështonte.
Logjika e thjeshtë të çon në përfundimin se Policia e Shtetit ka qenë tërësisht jashtë loje në këtë operacion. Amerikanët e DEA-s kanë pikasuar se po kryhej një trafik i madh lënde narkotike nga Shqipëria në Greqi. Ata kanë njoftuar autoritetet greke, të cilat janë vënë në lëvizje, duke zbuluar, evidentuar dhe arrestuar disa persona në Greqi. Ndërkohë, prej dy ditësh, Policia Shqiptare vijon të mbështesë qëndrimet e saj në publikimet e medias greke, si edhe duke kundërshtuar opozitën mbi akuzat që hedh ndaj drejtuesve të policisë.

Baroni i drogës, PD: Tahiri të largohet dhe të vihet para drejtësisë

Partia Demokratike ka reaguar dje për lidhjet e qeverisë me baronin e drogës drejtor i Transporteve në Sarandë dhe ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Tahirit dhe vënien e tij para drejtësisë. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, PD shprehet se, rënia e shtetit ligjor në Shqipëri dhe triumfi i mafias me mbështetje qeveritare, është sot kryelajmi i CNN dhe mediave të tjera rajonale dhe botërore.
“Prej më shumë se 24 orësh i shpalluri në kërkim ndërkombëtar Klement Balilaj për narkotrafik nuk arrestohet, por i bën karshillëk ligjit nga zyrat shtetërore të Drejtorisë së Transporteve në Sarandë. Nëse Klement Balilaj nuk do të kishte mbrojtjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe shefit të tij, Edi Rama a mund të ndodhte kjo?”, thuhet në deklaratën e PD të shpërndarë për mediat.
Sipas CNN, policisë greke, vetë policia shqiptare i është justifikuar se, “në Shqipëri nuk mund ta prekim, sepse ky person ka lidhje me politikanë të nivelit të lartë”. “Sajmir Tahiri duhet të largohet një orë e më parë dhe të vihet para drejtësisë si garantuesi dhe mbrojtësi i bandave të trafikut ndërkombëtar të drogës, gjobvënësve, kriminelëve dhe njeriu që ka kriminalizuar Policinë e Shtetit. Por çlirimi i vërtetë i Shqipërisë nga krimi i veshur me pushtet dhe pushteti i bërë njësh me krimin vjen vetëm me largimin e kësaj qeverie”, përfundon deklarata e PD.

R.POLISI

Artikulli paraprakPadia e biznesmenit ndaj Shullazit, zhduken pamjet filmike
Artikulli tjetërSi u shkurtua gjilpëra e pistoletës së “ushtarit” të Shullazit nga Ermal Muça