Mediat italiane: Aparatura e përgjimit u mbajt nga policia shqiptare e jo specialistët italianë

Aparatura e përgjimit është mbajtur nga policia shqiptare dhe jo specialistët italianë, shkruanin dje mediat italiane, pas pezullimit nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako dhe vendosjes së masës “arrest në shtëpi” për dy zyrtarë të tjerë të policisë shqiptare.  Këta të fundit janë Artion Duka, me funksion drejtor i Forcave Operacionale (FO) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë FO. “Masat janë lëshuar pas një hetimi, që po bën me turp policinë italiane dhe Ministrinë e Brendshme, të iniciuar nga Prokuroria shqiptare për një pajisje të veçantë përgjimi që erdhi në Shqipëri falë misionit italian të Interforcës dhe zyrës ndërlidhëse italiane në kryeqytetin shqiptar me qëllim trajnimin e efektivëve, shkruan “Secolo d’italia”. Hetuesit shqiptarë dyshojnë se pajisja mund të jetë përdorur në mënyrë të paligjshme. Ish-drejtori i policisë italiane, Alessandro Pansa, në letrën e tij shpjegonte se: “Pajisja e stërvitjes ka qëndruar gjithmonë në dispozicion të operatorëve italianë dhe e ruajtur, kur nuk përdorej për aktivitete trajnuese dhe trajnim, përmes zyrës ndërlidhëse italiane në Shqipëri, të ndodhur në brendësi të ambasadës italiane në Tiranë”. Por, nga hetimi rezulton se, “aparatura ka mbetur gjithë kohës në ambientet e policisë shqiptare dhe të paktën dy herë makina me të cilën ndodhej është drejtuar nga efektivi shqiptar Xhelilaj”, përfundon artikulli.

Exit mobile version