Seanca e sotme në Katania, ku Moisi Habilaj dhe 13 personat e tjerë të arrestuar nga policia italiane gjatë operacionit ‘Rose dei venti’, ka bërë që të publikohen edhe detaje të reja. Mësohet se Prokuroria e Katanias që ka bërë hetimin e parë, ka marrë edhe fashikujt e dosjes ‘Tahiri-Habilaj’, që po hetohet në Shqipëri nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Në dosjen e prokurorit italian, Andrea Bonomo mësohet se është futur edhe hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë dhe dëshmitë që prokurorët Besim Hajdarmataj e Vladimir Mara i kanë marrë Moisi Habilajt, Nazer Seitit dhe Meridian Sulaj, vetëm dy ditë më parë.
Dy prokurorët shqiptarë ndodhen në Katania për llogari të hetimit që po zhvillohet në Shqipëri nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kushëriri i Habilajve. Emri i Tahirit ka dalë shumë herë gjatë bisedave që policia italiane u ka përgjuar Habilajve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjatë hetimit për operacionin ‘Rosa dei venti’.
Në kërkim është ende Florian Habilaj, ndërsa nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi Nazer Seiti. Ky i fundit mbahet edhe si financieri i grupit të Habilajve. Seiti u prangos në Vlorë disa muaj më parë dhe u ekstradua në mënyrë të çuditshme në Itali, nga ana e ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Seiti aktualisht nuk ndodhet në burgun e Katanias si pjesa tjetër e organizatës kriminale, por është në Romë në burgun e Rebibbia-s.
Ekstradimi i Seitit në Itali, ndërsa ndaj tij është hapur një hetim në Shqipëri, ka sjellë polemika të shumta në vendin tonë, ndërsa të shumta kanë qenë akuzat politike të bëra nga opozita drejt Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Mosi Habilaj, i cili njihet edhe si i afërm i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri kërkoi gjykim të shkurtuar. Një biznes milioner që duket se ka ulur në të njëjtën tryezë tregtarët lokalë të marijuanës, furnizues të bandave mafioze. Së bashku me Habilajn, pas hekurave të sallës së gjyqit shiheshin edhe Meridian Sulaj dhe Antonino Riela, ky i fundit italian. Të pandehurit e tjerë, si për çudi, ishin përzierë mes të pranishmëve të seancës, përfshi Fatmir Minaj dhe Angelo Busacca, ky i fundit me origjinë nga Raguza.
Të 14 të dyshuarit, me përjashtim të Vincenzo Spampinato i cili ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, kanë kërkuar një gjykim të shkurtuar, që nëse do të pranohet nga gjyqtarja Maria Cardillo, do t’u mundësonte atyre uljen e një të tretës së dënimit të pritshëm.
Gjithçka pritet të zgjidhet në seancën e radhës, të programuar për më 26 shtator të këtij viti. Në fashikujt e dosjes në ngarkim të tyre, me kërkesë të prokurorit publik Andrea Bonomo, janë përfshirë edhe marrjet në pyetje gjatë ditëve të kaluara të protagonistëve Habilaj, Seiti dhe Sulaj. Të tre këta, falë një leje ndërkombëtare për marrjen në pyetje, janë vendosur përballë prokurorëve të Krimeve të Rënda në Tiranë.
Hetuesit shqiptarë shkuan në Katania për t’i marrë në pyetje për një hetim paralel që zhvillohet këtu në Shqipëri, që ka për protagonist ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, kushëri i Habilajve dhe i përmendur disa herë në përgjimet telefonike të të pandehurve në Itali.
E ndërsa njëri prej Habilajve mbetet ende në arrati, Florian Habilaj, pjesë e këtij procesi nuk do të jetë Nezar Seiti. Ky i fundit konsiderohet si financieri i bandës së trafikut të drogës dhe u arrestua në Shqipëri, për t’u ekstraduar pak muaj më vonë në Itali mes polemikave të shumta. Seiti nuk ndan as të njëjtën burg me të pandehurit e tjerë, pasi ai mbahet në burgun e Rebibbias në Romë.