Shqipëri ëndrrash në startin e kualifikueseve të Botërorit 2018. Me fitoren 2-0 në fushën e Lihtenshtejnit, në mënyrë të papritur kuqezinjtë morën kryesimin e Grupit G me pikë të plota, pavarësisht se aty luajnë edhe favoritët e Spanjës dhe Italisë, kampione të botës në vitin 2006 dhe 2010.
Një ecuri që nuk mund të lejë indiferente mediat më të mëdha ndërkombëtare, duke nisur nga italiania “Gazzetta dello Sport”, që shkruante se, “De Biasi është i vetëm në krye, me Shqipërinë që ka lënë pas në grup Spanjën dhe Italinë”.
Edhe “Corriere dello Sport” i kushtoi hapësirë fitores së kuqezinjve, që po shijojnë vendin e parë në grupin kualifikues, ndërsa hapësirë i kushtohej edhe tri golave të Mandzukiç në fitoren 6-0 të Kroacisë ndaj Kosovës në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Për “SportMediaset”, “Shqipëria nuk gabon” dhe me diferencën prej 2 pikësh të krijuar nga Spanja dhe Italia, vlerësohet si një kundërshtar i ndërlikuar, mbi të gjitha për “të kaltërit”.
Iberikja “AS” përdorte titullin: “Shqipëria vazhdon të fitojë dhe dominon grupin e Spanjës”, ndërsa edhe gazeta tjetër madrilene “Marca” është në të njëjtën gjatësi vale.
Për faqen zyrtare të FIFA-s, që u përqendrua në supersfidën ndërmjet Italisë dhe Spanjës, nga barazimi i tyre, përfitoi Shqipëria, që kryeson grupin përpara dy big-ëve kontinentalë.