Largimi i dy drejtuesve të mediave në vend, Armand Shkullaku nga “ABC News” dhe Alfred Lelës nga “Mapo”, ka sjellë edhe reagimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha. Ai e ka publikuar këtë reagim në Facebook dhe pasi ka shprehur indinjatën në fillim për atë që ndodhi dhe në të njëjtën kohë respektin për punën e këtyre gazetarëve, ka vazhduar duke shpjeguar se kjo ditë e zezë nuk ka ardhur për zi. Për kreun e PD çdo përpjekje e pushtetit për të mbyllur apo manipuluar median me qëllim grabitjen e zgjedhjeve është pjesë e së keqes, që ka pllakosur në këtë vend, ndaj i takon vetë njerëzve që të ngrihen kundër kësaj të keqe.
Që në fillim të reagimit të tij zoti Basha është shprehur me tone të forta, duke e konsideruar si një ditë të zezë për median në veçanti, por edhe për demokracinë në përgjithësi. Ka qenë opozita që në mënyrë të vazhdueshme ka ngritur alarmin se, zgjedhjet e qershorit janë në rrezik. Shkarkimet e gazetarëve në këtë prag fushate tregojnë se pushteti i Ramës dhe Velisë nuk njeh asnjë kufi përpara mbajtjes me çdo kusht të pozicioneve të tyre. Për këtë arsye, në reagimin e tij kreu i PD-së e ka konsideruar si një lajm të keq momentin kur politika, interesat e biznesit dhe media bëhen bashkë. Sipas zotit Basha në një moment të tillë mund të priten vetëm ditë të vështira. Megjithatë, ai nuk mbetet vetëm në momentin e konstatimit, por jep edhe zgjidhjen në këtë reagim kur thotë: “Ata janë bërë bashkë për të ruajtur pushtetin dhe paranë. E keqja është bërë bashkë, kundër qytetarëve. Tani është koha që qytetarët të bëhen bashkë kundër tyre. Ne nuk do t’ia dorëzojmë vendin sunduesve që pas fasadave dhe mashtrimeve mediatike po vjedhin dhe po vrasin një vend dhe një popull”.
Ditë e zezë për median e demokracinë
“Dje ishte një ditë e zezë për median, lirinë dhe demokracinë. Largimi i dy drejtuesve, Armand Shkullaku nga “ABC News” dhe Alfred Lela nga gazeta “MAPO”, është një lajm i keq për vendin, është një hap më shumë drejt zaptimit të medias nga një regjim i korruptuar e kriminal.
Armand Shkullaku dhe Alfred Lela nuk kanë nevojë për vlerësimin tim, sepse ata i kanë vlerësuar dhe respektuar qindra mijëra shqiptarë në shumë vite kontribut publik. Ata nuk kanë nevojë, as për mbrojtjen time, sepse puna, talenti dhe aftësia e tyre janë mbrojtje ndaj çdo lloj regjimi. Por largimi i tyre, vetëm për t’i vënë këto media në shërbim të plotë ndaj qeverisë është lajm i keq për të gjithë.
Është lajm i keq, sepse kur politika, interesat e biznesit dhe media bëhen bashkë, ditë të vështira vijnë për një vend dhe popull. Kjo ditë ka ardhur për Shqipërinë.
Ata janë bërë bashkë për të ruajtur pushtetin dhe paranë. E keqja është bërë bashkë, kundër qytetarëve. Tani është koha që qytetarët të bëhen bashkë kundër tyre. Ne nuk do t’ia dorëzojmë vendin sunduesve që pas fasadave dhe mashtrimeve mediatike po vjedhin dhe po vrasin një vend dhe një popull”, thuhet në reagimin e plotë të Bashës.