Mediat sociale dhe lajmet e pavërteta

Shkencëtarët paralajmërojnë, politikanët ndalojnë, juristët e botës dixhitale protestojnë – dhe rrjetet sociale nuk dinë kujt t’ia prishin e kujt t’ia ndreqin.
Psikologët kanë studiuar se për sa kohë qarkullojnë në shoqëri lajmet e gënjeshtërta dhe janë njëzëri të mendimit: “Fake News mund të kenë pasoja shqetësuese ndaj një demokracie”, shkruan Stephan Lewandowsky, drejtues i studimit të publikuar në vitin 2012. Sipas shkencëtarëve, një dezinformim i vazhdueshëm i shoqërisë mund të shkaktojë probleme serioze. “Në nivelin ndërkombëtar, Fake News, lajmet e gënjeshtërta frenojnë aktualisht masat kundër ndryshimit të klimës”, informon Lewandowsky. Para së gjithash të rinjtë kanë probleme që t’i identifikojnë si të tilla lajmet e gënjeshtërta, Fake News, konstatuan shkencëtarë të Universitetit të Stanfordit. “Mund të kujtosh se meqenëse të rinjtë janë të sigurtë në përdorimin e mediave sociale, ata janë edhe shumë vigjilentë ndaj atyre që shohin atje” thotë drejtuesi i studimit, Sam Wineburg. “Ajo që ndodh është e kundërta”. Kërkimet e thella dhe trajtimi kritik i burimeve – para së gjithash në internet – duhet të bëhen më fort pjesë e programit mësimor, kërkojnë shkencëtarët.

Rrjetet sociale
Facebooku, gjiganti i rrjeteve sociale, ndërkohë ka reaguar: një sistem i ri i shenjon lajmet e gënjeshtërta dhe ua bën përdoruesve të dukshëm dallimin me lajmet e verifikuara. Në fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale në SHBA, sipërmarrja në fjalë u kritikua, sepse lajmet e gënjeshtërta qenë të dukshme edhe përmes kategorisë së lajmeve në kronikën, timeline të përdoruesve. Që ky shenjim vetëm nuk mjafton, këtë e di edhe Mark Zuckerberg: “Ne mund të bëjmë më tepër se sa t’i japim komunitetit tonë mundësinë për të njoftuar për lajmet e gabuara dhe të gënjeshtërta”, bëri të ditur në një deklaratë shefi i Facebookut. Plane konkrete megjithatë nuk janë të njohura.

Politikanët
Deputeti i CSU-së, Patrick Sensburg kërkon në intervistë me “Deutsche Wellen” që të “ashpërsohen figurat e krimit”. Sipas mendimit të tij, masat juridike kundër lajmeve të gënjeshtërta nuk janë “pakësim i lirisë së mendimit”. Ato duhet të pengojnë përpjekjet “që duan të destabilizojnë peizazhin mediatik dhe besimin e popullit tek shteti”. Edhe zëvendëskancelari dhe kryetari i SPD-së, Sigmar Gabriel u kërkon të “gjithë demokratëve” që të kundërshtojnë në luftë kundër Fake News dhe Social Bots (postimeve nga robotët). Fushata elektorale që kemi përpara nuk duhet të zhvillohet “si në SHBA”, tha ai. “Rusia është e interesuar që ta përçajë shoqërinë tonë dhe ta bëjë atë të pasigurtë”, u shpreh politikani i CDU, Ansgar Heveling në një intervistë.

Juristët e së drejtës dixhitale
Por lufta kundër lajmeve të gënjeshtërta mund të rrezikojë edhe liritë bazë. “Problemet në rrjetet sociale duhet të rregullohen krejtësisht me vetërregullim, arsimim dhe kompetencë mediatike”, argumenton e ngarkuara e OSBE-së për lirinë mediatike, Dunja Mijatoviç, “jo përmes kufizimeve të reja”. Para së gjithash, nuk duhet të jenë firma private si Facebook ose Twitter ato që të vendosin për atë që është e vërtetë dhe për atë që është e gënjeshtërt, paralajmëron Joe McNamee, drejtor i Iniciativës Evropiane për të Drejtat Dixhitale (EDRi) në intervistë me “DW”.

Exit mobile version