Facebook, Twitter, Microsoft dhe YouTube duan të luftojnë së bashku propagandën terroriste. Por nisma e tyre duket si me gjysmë zemre. Fotografitë kanë fuqi të madhe simbolike dhe duhet të përhapin tmerr: flamuri i “Shtetit Islamik” -IS-it që valëvitet në teatrin antik romal të Palmirës në jug të Sirisë. Në të njëjtin vend ekstremistët filmuan në korrik 2015 ekzekutimet e një numri ushtarësh të qeverisë. Propaganda e IS-it, e cila inskenon ekzekutime, qarkullon në internet, pjesërisht edhe në platforma të mëdha si YouTube apo Facebook.
Kjo pritet të marrë tani fund. Facebook, YouTube, Microsoft dhe Twitter njoftuan se do të angazhohen bashkërisht kundër përmbajtjeve terrroriste. Për këtë ato do të krijojnë një bankë të përbashkët të dhënash në lidhje me materialet fotografike me përmbajtje terroriste.
Fotografitë me përmbajtje të dhunshme të grumbulluara në këtë bankë të dhënash, do të pajisen me një “hashs” pra me një shenjë dixhitale dhe në këtë mënyrë ofruesit e këtyre shërbimeve mund ta bllokojnë përhapjen e tyre në rrjetet sociale. E reja është pra, që shenja dixhitale do të regjistrohet në bankën e përbashkët të të dhënave dhe mund të përdoret nga të gjithë, pra Facebook, YouTube, Microsoft dhe Twitter.
Kritere individuale
Por secila prej këtyre sipërmarrjeve ka kritere të ndryshme për t’i klasifikuar si apo jo si terrorriste përmbajtjet e ndryshme. YouTube për shembull, shuan nga rrjeti materiale të ndryshme vetëm në rast se përdoruesit lajmërojnë për përmbajtje të tillë. Në vitin 2014 kur IS-i ekzekutoi gazetarin James Foley dhe e publikoi videon e ekzekutimit online, ajo qëndroi në rrjet shtatë ditë me radhë dhe u pa nga mëse 10 milionë vetë. YouTube, si dhe sipërmarrjet e tjera jetojnë prej klikimeve.
Avokati Chan-Jo Jun i sheh me rezervat masat e reja të firmave Facebook, YouTube, Microsoft dhe Twitter. Në fillim të nëntorit ai ngriti padi ndaj shefit të Facebook-ut, Mark Zuckerberg, sepse sipas tij FB i fshin përmbajtjet e dhunshme dhe propagandën nga faqet e veta, vetëm në rast se ato mbështeten nga konteksti. Për shembull, një fotografi e një vajze që i kanë prerë kokën, FB nuk e heq nga faqet në rast se teksti që shoqëron fotografinë e dënon këtë vepër.
Strategji e paqartë
Twitter, Facebook, YouTube dhe Microsoft përqendrohen në nismën e tyre vetëm tek fotografitë dhe videot. Në deklaratë nuk përmendet se si do të veprojnë ato me tekstet që përcjellin propagandë terroriste, racizëm, seksizëm apo lajme të rreme. Rrjetet sociale janë kritikuar kohët e fundit sidomos për përhapjen e të ashtuquajturave “fake news”.
Po ashtu, në Gjermani propaganda terroriste nuk përhapet direkt nga IS-i, por nga faqe me përmbajtje radikale të djathtë, që i shpërndajnë këto materiale pa asnjë lloj konteksti objektiv për të nxitur urrejtjen.