Lamtumira e Mesit ndaj kombëtares zgjati vetëm 40 ditë. Optimizmi i trajnerit të ri të Argjentinës, Edgardo Bauza përkthehet nga katalanasja “El Mundo Deportivo”, shumë pranë Barcelonës me një qartësi: Leo Mesi është drejt rikthimit në kombëtare. Trajneri i “La Selecion”, është rikthyer në Buenos Aires, pasi ka kaluar dy ditë në Barcelonë, ku ishte duke ndjekur dhe fitoren 3-2 të Barçës ndaj Sampdorias dhe ka folur me Mesin, Mascheranon e Demichelis.
“E pashë me një dëshirë të madhe për t’u kthyer, ka deklaruar Bauza për mediat argjentinase duke shtuar, gjithsesi nuk dua të nxitohem, pasi do të flas sërish me të dhe pastaj do të zyrtarizoj gjithçka”.
Në pritje të lajmërimit, “El Mundo Deportivo” nuk ka dyshime. “Mesi kthehet në kombëtare” është titulli në faqen online të së përditshmes katalanase. Ndoshta Leo ka thënë po, por mbetet për t’u bërë dhe një telefonatë e fundit dhe pastaj shpallja e listës së Bauzas për ndeshjet kualifikuese të Botërorit kundër Uruguait dhe Venezuelës. Mesi i kishte dhënë lamtumirën kombëtares pas finales së dytë radhazi të Kupës së Amerikës të humbur përballë Kilit, 27 qershorin e kaluar. I kuptueshëm zhgënjimi i madh dhe ndoshta ndjesia se nuk po ia dilte të udhëhiqte Argjentinën që humbi dhe finalen e Botërorit 2014 ndaj Gjermanisë drejt suksesit. Gjithsesi duket se tashmë 29-vjeçari do të jetë sërish pjesë e Argjentinës dhe kjo mund të konsiderohet një fitore e parë e madhe për trajnerin Bauza.