Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu zhvilloi takime me personalitete të politikës dhe mendimit politik Amerikan. Mediu ndodhet në një vizitë në Washington. Me ftesë të Presidentit të Heritage Foundation, Ish Senatorit Jim DeMint mori pjesë në një takim në të cilin u diskutua për ndërtimin dhe bashkëpunimin me Balkan Policy and Heritage Foundation, të krijuar në Shqipëri prej përfaqësuesish të politikës shqiptare dhe rajonale.
DeMint shprehu gadishmërinë e tij për t`a konsideruar këtë fondacion si pjesë të punës dhe qëllimeve të përbashkëta, duke bashkëpunuar në analizën e situatës në Ballkan, lirinë ekonomike, shtetin e së drejtës, çështjet e Sigurisë Rajonale dhe Globale, duke përfshirë në këto forume përfaqësues të nivelit të lartë të politikës amerikane dhe rajonale, siç ishte forumi i organizuar në Washington nga Armed Service Committee në senat, apo takimet në rajon me kongresmenët për zgjerimin e NATO-s në Ballkan. Mediu shpjegoi edhe njëherë situatën e rëndë ekonomike dhe politike në Shqipëri, si pasojë e një qeverisjeje autoritare dhe të korruptuar. Mediu zhvilloi një drekë pune me Kongresmenin Robert Aderholt dhe Ish Senatorin Mark Pryor, duke i shpjeguar atyre se opozita është tërësisht e angazhuar dhe e gatshme që të votojë Reformën në Drejtësi, bazuar në rekomandimet e Venecias, me konsensus politik, i cili është i domosdoshëm.
Ndërkohë tre kongresmenë amerikanë i kanë kërkuar të djelën Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry garanci për Reformën në Drejtësi që duhet të miratojë Parlamenti shqiptar, e cila duhet të respektojë rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias.
Kongresmenët David Jolly, Robert Aderholt, si dhe nënkryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin e SHBA, Dana Rohrabacher i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit, John Kerry, ku i kërkojnë që të nxitet konsensusi për Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Kongresmenët kërkojnë që konsensusi të arrihet sipas Rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias ndërsa shprehin shqetësimin për kërcënimet aktuale ndaj vendimeve të pavarura të gjyqësorit.
Kjo letër është një mbështetje e fortë që vjen nga SHBA për opozitën, e cila ka kërkuar vendet e rezervuara në institucionet e reja të Drejtësisë si kusht të vetëm për të votuar Reformën në Drejtësi.
“Ne besojmë se, liderët politikë janë afër një marrëveshjeje mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe në mënyrë më specifike Rekomandimi 88, i cili përbën bazën e zgjidhjes kur liderët politikë janë në një pikë ku nuk bien dakord. Që Reforma në Drejtësi të përfundojë, duhet garantuar adoptimi i këtij rekomandimi në Kushtetutën e Shqipërisë dhe zbatimi i tij. Ne ju nxisim që të punoni me qeverinë e Shqipërisë, që të vazhdojë përkushtimin ndaj Reformës në Drejtësi” thuhet në letër.