Mediu: Modeli i qeverisë është pasurimi me mjete korruptive e kriminale

Në takimin me strukturat e Partisë Republikane të Shkodres Kryetari Fatmir Mediu e vlerësoi qeverisjen aktuale si më të keqen e 25 viteve të demokracisë, e bazuar në përfitime personale përmes rrugëve korruptive e kriminale.
“Kjo qeverisje është e fokusuar në një luftë të vazhdueshme kundër biznesit. Ideja për të shtrënguar prej fyti biznesin sepse në emër të mirësisë sociale nuk është gjë tjetër veçse një lojë politike për të krijuar dy efekte shumë negative në jetën e një vendi: varfërimin e biznesit që të mos ketë autoritetin dhe mundësinë për të drejtuar ekonominë e vendit dhe për të vendosur se kush do të jetë rruga e tij, e dyta për të krijuar një shtresë sa më apatike” tha Mediu.
Republikanët kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes votimit dhe numërimit elektronik shtoi Mediu i cili kërkoi lista të hapura zgjedhore dhe korrektim të sistemit proporcional-kombëtar.
“Le të heqim njëherë e mirë dorë nga futja e duarve nëpër kutitë e votimit duke shkatërruar në themel një proces demokratik të rëndësishëm dhe të mundësojmë që të kemi një proces të votimit elektronik dhe të numërimit elektronik” tha kreu i PR.
Fatmir Mediu mbështeti idenë e Partisë Demokratike që financimi i partive të bëhet nga shteti pasi kështu sipas tij reduktohet tendenca korruptive që nis me fushatën elektorale.

Exit mobile version