Mediu: Qëndresë deri në fitoren e kauzës

Kreu i Republikanëve, Fatmir Mediu deklaroi dje nga sheshi i lirisë se lëvizja dhe qëndresa për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme do të vijojë deri në fitoren e kauzës. “Kjo është lufta më e madhe dhe lëvizja më e shenjtë në këto vite të historisë politike shqiptare pas viteve ‘90. Por por jo vetëm si anëtare e re e grupit konservator, grupit të tretë më të madh në PE është sot këtu për të treguar edhe një herë që beteja jonë nuk do të marrë fund deri në fitoren e kauzës. Ne sot jemi këtu për çdo burrë e grua, të rinj e të reja që besojnë se kanë të ardhme dhe këtë të ardhme e besojnë me votën e lirë. Kemi diskutuar me personalitete të ndryshme të botës, nga të gjitha vendet europiane për problemin e drogës dhe bandës dhe kemi dalë në një përfundim, e drejta dhe liritë e individit nuk mund të mposhten nga asnjë pushtet. Ndaj dhe ne nuk do të ndalemi për të fituar betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Stabiliteti i vetëm që mund të ketë Shqipëria është që shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre. Ndaj dhe të ulemi për të vendosur një dialog të drejtë, për të krijuar një qeveri teknike me mandatin që do të bëjë të gjitha detyrat që duhen plotësuar standardet për zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, u shpreh Mediu. Më herët dje, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mori pjesë në Samitin e Lirisë të organizuar nga Aleanca e Partive Konservatore dhe Reformiste Evropiane (ACRE). Ky aktivitet vjen në 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik dhe Shqipëria është zgjedhur pikërisht si një nga vendet që ka vuajtur më shumë nga pasojat e diktaturës dhe ideologjisë komuniste. Në panelin e këtij samiti, dy folësit kryesorë dje ishin: Daniel Hannan, sekretari i Përgjithshëm i ACRE, një nga politikanët konservatorë më me ndikimin në Britani, por ashtu edhe mjaft i përkrahur për idetë e tij nga republikanët amerikanë. Ai gjithashtu është një prej personaliteteve politikë dhe zërave të fortë që kanë mbështetur procesin e Brexit. Folësi tjetër ishte kryetari i PR-së, (anëtarësuar dy ditë më parë në ACRE), Fatmir Mediu. Në fjalën e tij, Mediu bëri një pasqyrë të plotë përpara të pranishmëve nga gjithë Evropa, për vitet e tmerrshme që Shqipëria ka kaluar nën diktaturën më të egër në bllokun e Lindjes, për krimet monstruoze, për shtypjen e lirisë, për mohimin e mendimit dhe ndalimin e besimit, duke e kthyer shoqërinë shqiptare në një nga shoqëritë më të dhunuara dhe të deformuara. “Për fatin tonë të keq, ne akoma vuajmë edhe sot e kësaj dite pasojat e këtij deformimi, të cilat reflektohen qartazi në politikën shqiptare, duke e kthyer atë në një pengesë dhe jo në një shtysë për të ecur drejt familjes së madhe europiane”, u shpreh Mediu. Gjithashtu në fjalën e tij, Mediu theksoi se edhe kriza e sotme politike, ku opozita ndodhet në shesh duke protestuar vjen si pasojë e mendësisë komuniste, gati totalitare, me të cilën po qeveriset Shqipëria, duke tentuar kësisoj të mohohet e drejta për të votuar si qytetarë europianë, duke e kthyer Shqipërinë në një vend ku nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Exit mobile version