Mediu: Votë për PD

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Republikane në Tiranë, si dhe një numër të madh të rinjsh e të reja, republikanë të angazhuar për të votuar Partinë Demokratike. Në këtë takim merrnin pjesë edhe kryetari i PR për Tiranën, kandidati për deputet Blendi Sulaj, kandidati tjetër për deputet i PD-së, zoti Halim Kosova, si dhe mjaft të rinj që votonin për herë të parë. Gjatë këtij takimi, Mediu bëri një bilanc të dështimeve të njëpasnjëshme të qeverisjes Rama-Meta, duke bërë që qytetarët të varfërohen, të humbin shpresën dhe pjesa më e madhe e të rinjve të largohet jashtë Shqipërisë. Në takimin me strukturat në Tiranë, Fatmir Mediu kërkoi votën për PD për të larguar qeverinë Rama-Meta, të cilën e bëri përgjegjëse se me dështimet e njëpasnjëshme varfëroi shqiptarët. Kryetari i republikanëve, tha se programi i PD për ulje taksash, synon rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, akuzoi qeverinë Rama-Meta për varfërimin e shqiptarëve. Mediu kërkoi mbështetjen për PD, për të maksimalizuar votat kundër Republikës së vjetër. Fatmir Mediu: “Shteti i Ramës i ka çuar taksat në Shqipëri 30, 40, 50 për qind duke varfëruar në mënyrë masive shqiptarët. Për tre muaj luftuam për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mbas tre muajsh shkarkuam gjysmën e qeverisë Rama dhe me punën tuaj do të shkarkojmë gjysmën tjetër më 25 qershor që ta marrë qeverisjen e djathta nën drejtimin e Lulzim Bashës”. Në prezantimin e prioriteteve të programit politik të zgjedhjeve 2017, të Republikës së re, Mediu theksoi se të gjitha hapat që do të ndërmerren do të kenë si qëllim parësor forcimin e ekonomisë individuale, nëpërmjet uljes së taksave. Ai gjithashtu bëri me dije se projektet për të ndihmuar arsimin e lartë publik do të jenë me një impakt të menjëhershëm. Në përfundim të këtij takimi, zoti Mediu deklaroi para strukturave se futja e kandidatëve republikanë në garë për deputet, nën logon e PD, nuk është asgjë më shumë se konsensusi në aksionin opozitar të së djathtës për të maksimalizuar votat ndaj Republikës së vjetër. Mediu në komunikimin e tij, nënvizioi edhe një herë për të rinjtë e pranishëm, se vetëm duke votuar nr. 6 Partinë Demokratike, mund të arrihen qëllimet madhore të Republikës së re.

Exit mobile version