Meha rikthehet te Konyaspor

Alban Meha rikthehet të luajë në Turqi. Lëvizja e befasishme ndodhi paraditen e kësaj të enjteje, kur mesfushori u kthye në Konya, për të vazhduar karrierën te skuadra e Konyaspor-it. Konfirmimi u dha nga mesfushori 30-vjeçar, që në adresën e tij në Instagram publikoi një foto në aeroportin e qytetit, ku theksonte se ishte i lumtur që rikthehej në radhët e bardhejeshilëve.
Mediat turke theksonin se Meha iu bashkua sërish Konyaspor-it, duke firmosur kontratë 1-vjeçare me klubin, në të cilin ishte protagonist gjatë sezonit të kaluar në superligë. Lojtari i lindur në Mitrovicë do të nisë menjëherë punën me pjesën tjetër të ekipit, megjithatë trajneri Kocaman dhe stafi teknik do të vlerësojnë më parë gjendjen e tij dhe për këtë arsye mesfushori pritet ta ndjekë nga tribuna sfidën e radhës në kampionat ndaj Besiktas.
Rikthimi i Alban Mehas te Konyaspor i befasoi të gjithë, me transferimet e tij që u kthyen në një telenovelë të merkatos. Pas mbylljes së sezonit të kaluar, lojtari arriti akordin me Al-Nassr në Arabinë Saudite.
Por, ndryshimet në klubin nga Rijadi bën që drejtuesit e rinj fillimisht ta bllokonin transferimin për disa javë. Marrëveshja e re ndërmjet palëve u arrit në mesin e muajit maj, me “snajperin” që firmosi kontratën nga e cila do të përfitonte mbi 1 milion euro në sezon.
Tashmë erdhi edhe surpriza e radhës. Alban Meha prishi akordin me arabët dhe u rikthye në Turqi te Konyasport. Arsyet mbeten ende enigmë, megjithatë lojtari siguroi qëndrimin në një ligë të rëndësishme europiane, që do t’i japë mundësinë të jetë në maksimumin e formës në debutimin historik të Kosovës në kualifikueset e Botërorit 2018.

Artikulli paraprakEkonomistët mes ideologjisë dhe fakteve
Artikulli tjetërNabil Bentaleb kalon te Schalke