Një shqiptar përkrah Mario Balotellit. Sulmuesi me pasaportë zvicerane, Admir Mehmedi pritet të nënshkruajë me skuadrën e Nice që ka shfaqur interes konkret për të. 26-vjeçari i lindur në qytetin e Gostivarit, aktualisht pjesë e Bayer Leverkusen ku ka një kontratë deri në vitin 2019, ka ndezur dritën jeshile për t’u transferuar në skuadrën nga Bregu i Kaltër, por marrëveshja duhet të arrihet edhe mes dy klubeve. Interes për të ka shfaqur kohët e fundit edhe Fiorentina, por Nice mbetet në pole position për një fakt të thjeshtë, në stol qëndron trajneri Lucien Favre. Trajneri zviceran e njeh prej shumë vitesh Mehmedin dhe i vlerëson aftësitë e tij teknike, duke i bërë me dije drejtuesve të klubit se ai është emri ideal për fazën sulmuese të skuadrës që drejton. Favre e ka ndjekur Mehmedin që në kohën kur drejtonte Borussia Mounchengladbach, por nuk arriti ta vinte asnjëherë nën urdhrat e tij. Me zhvendosjen në Francë, ai beson se tashmë ka ardhur koha që 26-vjeçari të bashkohet me ekipin e tij ku luajnë jo pak emra të njohur të futbollit francez. Ambiciet e Nice janë të mëdha këtë sezon dhe blerja e mundshme e Mehmedit do ta forconte edhe më shumë skuadrën jugore që sezonin e fundit e mbylli në vendin e tretë të Ligue 1.