“Mehmet Shehun e vranë”, dëshmia e ish-gjeneralit që u dënua 25 vite burg si “puçist”: S’do ta pranonte kurrë ta shkruante atë letër

Halim Ramohito, një nga ish-gjeneralët e mbetur nga grupi i ushtarakëve që u arrestuan dhe u internuan si “grupi puçist” i vitit 1974, nga ana e Enver Hoxhës. Në krye të këtij grupi ishte Beqir Balluku dhe pas tij, kasta më e nderuar e ushtarakëve të kohës, ndër ta dhe gjeneral Ramohito, që pasi kishte marrë pjesë në rradhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kishte shërbyer si përfaqësues i Shqipërisë dhe si atashe ushtarak në ‘Traktatin e Varshavës’.

Dëshmitar i prishjes me rusët, Ramohito më vonë do të bëhej dëshmitar i shkatërrimit të ushtrisë shqiptare nga diktatori Hoxha, i cili tregoi se gjatë qëndrimit në pushtet, nuk donte rreth e rrotull njerëz të kualifikuar, por vetëm servilë. Ramohito, i qetë dhe me ftohtësinë që i jepte distanca kohore, nxorri dhe botoi kujtimet e tij, pa të cilat ndoshta historia e asaj kohe me “grupin puçist”, nuk do të ishte e plotë, madje edhe mund do të shkruhej shtrembër apo deformohej…!
Me një sinqeritet të rrallë, ai rrëfen ndjesitë e tij gjatë mbledhjes famëkeqe të Komitetit Qendor të PPSh-së, ku u përjashtuan nga partia e, më pas u arrestuan e u internuan për vite me radhë kasta ushtarake e kohës, me në krye Beqir Ballukun. Edhe pse iu desh të zhvishte xhaketën me grada e, të punonte tokën si një bujk në internimin e gjatë, edhe pse iu desh të mos e shihte më nënën e tij as në vdekje, pengu i tij më i madh, mbeten “autokritikat” që iu desh të bënte, për hir të partisë. “Enveri, na vrau edhe me duart tona…!

Mbledhja e Plenumit të VI-të të Komitetit Qendror i 16 dhjetorit 1974, si dhe gjyqet e zhvilluara më vonë ndaj nesh, u orientuan, para së gjithash, që të përqendroheshin në akuzat e bëra nga Enver Hoxha, sidomos në dy drejtime kryesore, që duhet të përbënin në gjyqe edhe bazën e padisë penale ndaj nesh: – Sabotimin e vijës së partisë në fushën e mbrojtjes, të kryer në bashkëpunim, si pjesëtarë të një organizate kundërrevolucionare në ushtri; – Agjitacion e propagandë, me anën e futjes në masë në ushtri të literaturës armiqësore borgjeze-revizioniste ushtarake.

Për këto dy drejtime, të parit që iu kërkua të fliste dhe të jepte llogari në mbledhjen e 16 dhjetorit 1974, të plenumit të VI-të të Komitetit Qendror, ishte gjeneral-lejtnant Petrit Dume. Kjo edhe për faktin se, pas plenumit të V-të të Komitetit Qendror të korrikut 1974, Beqir Balluku ishte i internuar në Roskovec dhe, atje, siç i deklaroi Enveri, mbledhjes me solemnitet, “tashmë ai është i arrestuar…”!

Diskutimet në mbledhjen e plenumit të VI-të Komitetit Qendror të dhjetorit 1974, filluan me këtë dialog të Mehmet Shehut, me Petrit Dumen:

Mehmeti: – Po të ngresh ti, Petrit Dume, në këmbë ushtrinë dhe të arrestosh Komitetin Qendror të PPSh-së dhe qeverinë me tanket e tua, siç bëri Zhukovi në Kremlin, çdo të thotë kjo?

Petriti: – Tradhti e lartë.

Mehmeti: – Po, tradhti e lartë. Por a nuk je ti, Petrit Dume, një Zhukov i Shqipërisë?

Petriti: – Nuk e kam bërë një tradhti të tillë.

Ku e kishte origjinën ky dialog për tanket, me të cilat gjoja ne do të rrethonim dhe arrestonim Komitetin Qendror?! Në vitin 1973, u zhvillua një takim i disa prej kuadrove kryesore të ministrisë së Mbrojtjes në Shkodër, me Mehmet Shehun, në të cilën kam marrë pjesë edhe unë. Në atë takim, u rrahën mendimet për masat që duhet të merreshin në rast të një agresioni të mundshëm, nëpërmjet kufijve tanë veriorë e veri-perëndimorë dhe, mbi të gjitha, për mbrojtjen e Shkodrës.

Pasi u njohëm edhe me të dhënat e dy rrethimeve të viteve 1911-1912 të Shkodrës nga serbo-malazezët dhe me të dhënat më të fundit të stërvitjeve të jugosllavëve në këtë rajon, arritëm në një përfundim të përbashkët, se na duhej menjëherë të fillonim nga puna për fortifikimin e malit të Taraboshit dhe vendosjen në kalanë e Rozafës të baterive të MKA, të topave të artilerisë kundërajrore, me kalibra të fuqishëm, deri edhe me sisteme automatike drejtimi.

Diskutuam edhe për masat e tjera që duhet të merreshin për të shkatërruar ndonjë desantim të mundshëm nga deti dhe liqeni që eventualisht mund të ndodhte në rajonin e Shkodrës, etj. Diskutimet tona u përqendruan edhe në përdorimin, në këto situata, të njësive të tankeve që dispononte vetë korpusi, që mbronte drejtimin e Shkodrës dhe, sidomos, të njësisë së tankeve të dislokuar në rajonin e Laçit dhe të maskuar në strehime nëntokësore. Situata në atë kohë, në kufirin me Malin e Zi, ishte e ndryshme nga ajo e sotmja.

Tani, nga të dyja anët e kufirit, shohim të hyjnë dhe të dalin nëpërmjet këtyre kufijve, qindra e nganjëherë mijëra njerëz e vetura, por, në atë kohë, përveç të dhënave që merrnim nga burime të tjera, edhe me sy i shihnim tanke serbe aty, buzë kufirit.

Lëvizjet, deri edhe ato vetëm me harta, të kësaj njësie tankiste nga Laçi në drejtim të Shkodrës për qëllimet e mësipërme mbrojtëse në stërvitjet e ndryshme, më vonë u etiketuan marrëzisht si tentativa tonat për të rrethuar organet e partisë dhe pushtetit në Shkodër, madje, sipas Mehmet Shehut, ato do të ishin edhe një provë nga “grupi puçist” për të rrethuar dhe arrestuar më vonë edhe vetë KQ të Partisë.

Edhe në këtë replikë teatrale me Petritin, shfaqet karakteri i ndërlikuar i Mehmet Shehut. Në marrëdhëniet e drejtpërdrejta me ne, gjeneralët, ai ishte i hapur, disa herë edhe shumë miqësor, bënte dhe pranonte shaka, bënte sikur nuk e dëgjonte ndonjë fjalë dykuptimëshe, ndërsa jashtë këtyre marrëdhënieve, tjetërsohej e ndryshonte i tëri!

Në publik dhe sidomos para efektivave të ushtrisë, ishte i ashpër e i prerë, i rreptë e autoritar, ndërsa para Enver Hoxhës, bëhej papritur i urtë e i dëgjueshëm si një nxënës i zellshëm, sepse, me sa duket, e dinte nga përvoja, që Enver Hoxha të sakrifikonte e të flakte tej si një leckë, po të mos ishe i tillë në çdo çast dhe po të mos ia bëje qejfin, vend e pa vend, me lavde e ditirambe. Dhe këtë, Mehmeti e bënte më mirë se askush tjetër, duke mos humbur asnjë rast, për të shfaqur besnikërinë e tij ndaj Enver Hoxhës.

Ja se çfarë thotë për këtë gjeneral Muhamet Prodani, që dikur ishte shumë i afërt me Mehmet Shehun:

“… Pikërisht këtë gjë nuk ia fal kurrë Mehmet Shehut. Kur s’qe i zoti t’ia dilte mbanë, përse i hyri asaj ndërmarrjeje aq të rrezikshme…?! Akoma më tej, përderisa i hyri, përse nuk i qëndroi ambicies së vet për pushtet, deri në fund, përse nuk i doli rrezikut ballas, duke sakrifikuar diçka nga vetja, që të mos sakrifikoheshin aq lehtë e mizorisht, të gjithë shokët dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt në ushtri?!

Akoma më tej: Ç’ishte gjithë ai pasion i tij, deri në kufijtë e marrëzisë, për të gjetur sa më shumë fakte e prova fajësie kundër nesh, për ta zgjeruar sa më shumë rrethin e “komplotistëve”…?! Mos donte vallë t’i mbushte mendjen vetvetes, mos kërkonte të ngushëllohej e të vetë-sugjestionohej, se ishte në rrugë të drejtë dhe se nuk po bënte asnjë mëkat kundër nesh, duke i larë duart si Pilati…?!

I thosha shpesh ato ditë, kur mbeteshim vetëm: “Ç’po bëni kështu, po e shkatërroni fare ushtrinë…?! Ç’faj kanë bërë shokët, që po i godisni kaq egër…”?! ‘Pusho, më thoshte, mbylle gojën, se do ta hash edhe ti! Nuk e kupton që s’kam ç’të bëj…”?!

Është fakt që Enveri, ia pranonte me shumë qejf Mehmetit lëvdatat e tij të pafre dhe e thoshte shpesh hapur, se ai ishte bashkëpunëtori i tij më i ngushtë. Por, është po kaq e vërtetë, se ai asnjëherë nuk kishte pasur besim tek Mehmet Shehu (Se mos vetëm tek Mehmeti! Tek asnjë nuk kishte besim Enver Hoxha, as hijes e lëkurës së vet nuk i besonte ai njeri…) dhe këtë e provuan më së miri ngjarjet e vitit 1982. Enveri, që dyshonte për çdo gjë dhe për këdo, e kishte pasur që atëherë në shenjë edhe Mehmetin, për llogari të vjetra dhe të reja, pasi mendonte se edhe ai i rrezikonte seriozisht pushtetin.

Mehmet Shehu, që nga periudha e LANÇL (1939) e deri në vitin 1974, e kishte vlerësuar “Heroin e Popullit” Petrit Dume, si një nga gjeneralët më të shquar të Luftës dhe të ndërtimit e forcimit të Forcave tona të Armatosura, si një strateg të shquar ushtarak, si gjeneralin njëkohësisht edhe ushtar, që drejtoi Shtabin e Përgjithshëm, në periudha të vështira për një çerek shekulli, si një gjeneral shumë të aftë, që punët i kishte drejtuar me kompetencë dhe përkushtim të madh.

Disa herë, Mehmeti e kishte vlerësuar Petritin edhe si njohës të shquar të doktrinës ushtarake, që, përveç përvojës luftarake të fituar gjatë LANÇL dhe ndërtimit e forcimit të Ushtrisë sonë Popullore në dhjetëvjeçarët e periudhës së pasçlirimit, kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera edhe dy akademi të larta ushtarake në ish – Bashkimin Sovjetik. Këto e vlerësime të tjera të larta të gjeneral Mehmet Shehut, për Petrit Dumen, i dinim mirë jo vetëm ne, gjeneralët e ushtrisë të asaj periudhe, por e gjithë ushtria jonë.

Por edhe një udhëheqës i shquar, me dije të gjëra në të gjitha fushat, sidomos në ato ushtarake, me aftësi të rralla organizative për zbatimin e detyrave, si Mehmet Shehu, megjithatë, bëhet i vogël në gjykime e vlerësime, kur shikon se po i rrezikohet posti i kryeministrit.

Kështu, në vitin 1974, pas kthesës prej 180-gradësh, vetë Mehmet Shehu, e akuzoi edhe Petrit Dumen, hapët në mbledhjen e Plenumit të VI-të të Komitetit Qendror të PPSh-së si “puçist recidivist” dhe miratoi vendimin edhe për pushkatimin e tij, ndërsa në mbledhjen e kuadrove kryesore të Ushtrisë, në dhjetor të vitit 1974, ai nuk mungoi të bënte edhe autokritikë, që “…nuk e paskësh njohur Petrit Dumen…”, se “…në fakt, ai nuk paska vlejtur as edhe sa një komandant çete…” dhe se “veprimtaria e tij e gjatë në ushtri, kanë qenë vetëm sorollatjet pa bukë, në njësitë e saj…”! etj.

Mehmet Shehu kishte qenë për një kohë edhe ministër i Brendshëm dhe ai, e dinte shumë mirë se Enver Hoxha, merrte informacione nga burime të ndryshme edhe për të. Ai ishte i ndërgjegjshëm, se deklaratat e tij gjatë analizave të veprimtarisë të të ashtuquajturit “grup puçist” në ushtri; “Nuk do t’i japim asnjë kuadër tjetër Beqir Ballukut, edhe pas gjithë kësaj veprimtarie armiqësore të tij”, ishin hapa false e, të gabuara për momentin, ndaj nisi të bënte të pamundurën, për t’ia mbajtur ison me përulësi Enverit, në çdo hap të masakrës së tij, mbi kuadrot kryesore të ushtrisë dhe mbi vetë ushtrinë.

Natyrisht, Enver Hoxha bëri të kundërtën e asaj që thoshte Mehmeti, në deklaratat e tij. Ai vuri në listë për goditje edhe gjeneralët; Arif Hasko, Vehbi Hoxha, Muhamet Prodani, Abas Fejzo, Todi Naço, Sulo Kozeli, etj., pasi i dinte mirë lidhjet dhe, siç mendonte ai, edhe devocionin e veçantë të tyre, për Mehmet Shehun, lidhje të krijuara qysh nga periudha e luftës me të, në Brigadën e Parë partizane. Për këtë arsye, Enveri nuk mund t’i linte pa i dënuar në vitin 1974, edhe këta gjeneralë dhe, bashkë me ta, edhe vetë Mehmetin, në vitet 1982 dhe 1983.

Enver Hoxha, e dinte mirë edhe bashkëpunimin e Mehmet Shehut me Petrit Dumen, në drejtimin e punëve të ushtrisë. Ai e dinte se ata puqeshin me njëri-tjetrin, jo vetëm në koncepte, por edhe me metodat, se si duhej të zbatoheshin ato në ushtri. Për këto arsye, replikat mes Mehmetit dhe Petritit, në mbledhjen e plenumit, siç u vërtetua edhe më vonë, nuk ja mbushnin mendjen për besnikëri të Mehmetit ndaj tij dhe kështu, më vonë, ai i etiketoi ato, si një “fasadë” para plenumit, për të fshehur marrëdhëniet ndërmjet tyre. Enveri e shfrytëzoi mirë në fillim Mehmet Shehun, si mbështetës të tij, për të na dënuar neve më 1974, por pastaj, nuk do ta kursente as vetë atë.

Është e qartë se fundi i tij, ishte i paracaktuar që në vitin 1974, veçse kësaj radhe diktatori u tregua pak më “zemërgjerë”! Nuk e gjykoi në popull e në ushtri, siç bëri me ne, nuk e arrestoi dhe nuk e futi në burg, por e detyroi të vriste veten ose e vrau (unë besoj për variantin e parë), në dhjetor të vitit 1982. E njoh mirë kaligrafinë e Mehmet Shehut (pra edhe të letrës që ai kishte lënë pas vdekjes) dhe, nga sa e kam njohur në dhjetëra vite pune të përbashkët, as “nën kërcënimin prapa kokës të kobures”, ai nuk do të pranonte kurrë ta shkruante atë letër pa dëshirën e tij tragjike.

Me siguri, Enver Hoxha, e dinte edhe pikëpamjen e Mehmetit, që dënimet lidhur me të ashtuquajturin “puç”, duhet të kufizoheshin vetëm tek Beqiri, ashtu siç ky i fundit, kishte kërkuar jo drejtpërdrejt edhe në mbledhjen e aktivit në dhjetor 1974, në Durrës: “Edhe në punimet e këtij aktivi, u ndie vetëm zëri i një zileje të vetme…” dhe “Ne nuk do lejojmë tani asnjë njeri, që Beqir Balluku ta marrë me vete…”! Po kështu, të gjithë bashkëpunëtorët e Beqirit, në punimin e materialit teorik, po në këtë mbledhje, Mehmeti i cilësoi si; “fajtorë pa faj”, gjë që do të thoshte se shpata e Demokleut, nuk duhej të godiste edhe mbi ta.

Këto mendime, qoftë të hapura, qoftë edhe të fshehta e të maskuara të Mehmet Shehut, sipas vlerësimit tim, binin në kundërshtim me mendimet e Enver Hoxhës, i cili, qysh në korrik të vitit 1974, sapo doli ky problem, kishte konkluduar: “Në ushtri, kemi të bëjmë me një puç armiqësor dhe protagonistët e tij, duhet t’i fshijmë me fshesë të hekurt…”! fshesë të cilën, në të gjithë veprimtarinë e tij, Enveri e mbante “kurdoherë të gatshme prapa derës të zyrës dhe të shtëpisë së tij”. Shprehjen “fshesë e hekurt”, Enveri e kishte huazuar nga perandori i Prusisë dhe Gjermanisë, Frederiku i Madh, i cili, shekuj më par, e përdorte kur kërcënonte kundërshtarët e tij.

Nuk është e rastit që, më shumë se gjysma e kuadrove të larta të ushtrisë, pjesëmarrës në takimin e dhjetorit 1974, në aktivin e Durrësit, me urdhrin dhe vendimin e drejtpërdrejtë të Enverit, u dënuan me burgime, çmobilizime, ulje në detyrë, etj. Për këto arsye dhe të tjera si këto, Enver Hoxha, nuk mund të linte pa likuiduar edhe vetë Mehmet Shehun, pavarësisht nga betimet që, siç thashë më sipër, Mehmeti bënte, si më parë edhe në atë kohë, për besnikëri ndaj tij.

Në mbledhjen e plenumit të VI-të, të 16 dhjetorit 1974, në një atmosferë urrejtjeje ndaj nesh, pjesëmarrësve të të ashtuquajturit “grup puçist” në ushtri, pas debatit të Mehmet Shehut me Petrit Dumen, i vazhduan në këtë frymë diskutimet edhe lakenjtë e tjerë të zellshëm të diktatorit, sidomos G.Ç., I.S., M.B. dhe D.A., ish – punonjës të aparatit të Komitetit Qendror dhe, siç u pa qartë, edhe diskutimet e tyre dhe të të tjerëve në atë mbledhje – farsë, ishin të paracaktuara dhe të dirigjuara me kohë. Këto diskutime e ndezën më shumë situatën. Qëllimi ishte i qartë: me çfarëdolloj mjeti dhe në çdo mënyrë, duhej të na nxirrnin ne si grup armiqësor, me organizim dhe platformë “puçiste”.

Në atë mbledhje, me interesim të madh u prit shpifja e paskrupullt e ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, R.K., i njohur ky në shumë gjyqe, sidomos në atë të Teme Sejkos, për falsifikime. Në diskutimin e tij, R. K. duke na u drejtuar me gisht, tha: “Këta armiq të partisë dhe të shtetit, në një bisedë intime me njëri – tjetrin, kanë thënë: Sa keq që na u zbulua kjo punë, para muajit gusht 1974, pasi më 16 gusht, do të pushtonim Radio-Tiranën, do të merrnim edhe masa të tjera për të izoluar udhëheqjen, pastaj do të merrnim fuqinë…”! Për këtë atyre, do t’iu vinin në ndihmë, – sipas tij – edhe 20,000 parashutistë sovjetikë. Këto të dhëna, – i tha R.K. plenumit, – janë marrë, nga një ambasadë e huaj këtu në Tiranë”.

Ja edhe disa nga moria e shumtë e pyetjeve dhe akuzave të tjera për ne, “puçistët”, ish – anëtarë të Komitetit Qendror, të bëra nga disa prej shërbëtorëve më të zellshëm e servilë të Enver Hoxhës, të parapërgatitura për këtë qëllim, për të vërtetuar se ne ishim armiq dhe vetëm armiq:

A.Ç. në diskutimin e tij në këtë mbledhje, na u drejtua me pyetjen: “A mund të na i a tregoni lidhjet tuaja, me armiqtë e jashtëm”?!

“Një oficer i garnizonit të Vlorës, në vitin 1972, – tha G.N. në diskutimin e tij, – i ka raportuar Drejtorisë Politike të Ushtrisë, se disa oficerë madhorë të ushtrisë, po përgatisnin një grusht shteti, por kjo çështje është mbyllur nga Hito Çako”.

“Nga një organizatë – bazë partie në Shkodër, – tha P.M., – kam marrë të dhëna se Sadik Bekteshi, ka mbajtur lidhje me familje të dyshimta në Mal të Zi”.

“Petrit Dume, vinte shpesh në Kolonjë, – tha J.P. – dhe aty punonte për të përçarë e ndarë popullin në myslimanë dhe të krishterë”. “E shoqja e Petritit, mbante lidhje me të vëllain në Lushnje, që është armik dhe i dërgonte në shtëpinë e tij edhe byrekë”, tha J.P. Kështu në këtë mbledhje plenumi, veç çështjeve të ashtuquajtura armiqësore e të mëdha të mbrojtjes, nuk munguan të përmendeshin edhe “byreqet”; “Me kë i keni mbajtur lidhjet tuaja armiqësore, brenda dhe jashtë vendit”? pyeti M.P.

“Cili është plani i bashkëpunimit që do të vinit në zbatim”? pyeti Rr.D., duke përsëritur ndaj nesh edhe kërkesën: “Ne kërkojmë që ju, të na zbuloni tradhtinë. Si i kini pasur dhe si i kini mbajtur këto lidhje”. Pastaj po ky (Rr.D.), na u drejtua drejtpërdrejt neve, edhe me fjalë “dramatike”: “Të gjithë marksistë-leninistët dhe njerëzit e ndershëm kudo në botë, kanë besim tek shoku Enver. Na thoni tani, ju, puçistët, tek kush kini pasur dhe kini besim…”?!

H.I.: “Të gjithë ju puçistët, jeni përqafuar qafë më qafë me armikun e klasës”; “Në një organizatë të partisë në Lushnje, ka dalë që Sadik Bekteshi, ka mbajtur lidhje me ambasadën rumune këtu në Tiranë, duke marrë që andej edhe revista, libra etj.”, tha në diskutimin e tij Rr.Gj.;

“Çfarë bisede ke bërë ti, Sadik Bekteshi, me Jepishevin, shefin e Drejtorisë Politike të Ushtrisë Sovjetike”? pyeti N.C. (takim ky, që ishte zhvilluar qysh në vitin 1958, H.R.), etj.

Ndërkohë, nga “maja” e tribunës së mbledhjes, që dukej sikur ishte edhe më e lartë se vetë maja e Olimpit, për të krijuar aty psikozën, se ne ishim vetëm armiq, Enver Hoxha, “i nxehur”, me gishtin përpjetë dhe me zë të lartë, na drejtohej neve: “I lini ato diskutime që kini përgatitur me shkrim, se i dimë…! Dëgjoni çfarë kërkojnë këtu shokët. Ku është komploti, si e kini organizuar ju atë, dhe vetëm në këtë drejtim duhet të flisni…”!

Pas të gjitha atyre akuzave, Petrit Dumja tha: “Unë nuk kam asnjë lidhje armiqësore, as me jashtë e as me brenda. As që me ka shkuar kurrë në mendje të bëj një punë të tillë armiqësore. Gjatë gjithë jetës sime, kam punuar në ushtri, duke ditur dhe menduar gjithmonë se kam venë të gjitha forcat dhe aftësitë e mia për t’i shërbyer sa më mirë atdheut dhe popullit”. Pastaj Petriti kërkoi që t’i jepnin kohë për t’u përgatitur për pyetjet e shumta që ju bënë, por kjo u refuzua edhe nga vetë Enver Hoxha. /Memorie.al

Exit mobile version