Mejkët: Urgjenca e Tiranës në kushte skandaloze dhe kaos

Mjekët e Urgjencës së Tiranës kanë reaguar ndaj ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja për kushtet skandaloze të kësaj urgjence. Në një reagim drejtuar mediave, mjekët, infermierët dhe shoferët e Urgjencës shprehen se punojnë nëpër trotuare si endacakë, sepse nuk futen dot në ato dhoma biruca. “Si rezultat i protesave të personelit të Urgjencës së Tiranës, sapo morën vesh nga media për shkrirjen e Urgjencës dhe kalimin e këtij shërbimi tek privati në mënyrë të  fshehtë dhe të pabesë, për ta realizuar këtë plan mafioz, ndodhi dështimi i Beqes dhe Brataj. Më datën 1 shkurt 2016 ndodhi protesta dhe takimi me ministrin Beqaj. Në nxitim e sipër ministri bëri shpërndarjen e personelit të Urgjencës në 3 spitalet tashmë të njohura. Sipas Beqajt dhe Bratajt kjo shpërndarje do të afronte shërbimin e Urgjencës më afër pacientit dhe personeli do të trajnohej pranë këtyre spitaleve duke punuar aty. Por pas një viti nga ky urdhër i nxituar i ministrit Beqaj nuk është realizuar ky premtim”, shprehen mjekët në reagimin e tyre.
“Të 3 spitalet e mësipërme jo vetëm që nuk i pranuan punonjësit e Urgjencës të punonin në spitalet e tyre (me kohë të kufizuar) dhe të trajnoheshin aty, por nuk i lidhën as kontratat e punës (përveç Sanatorimit formalisht), siç pretendonte Beqja dhe Brataj për efekt pagese. Administrata e 2 spitaleve (QSUT dhe Spitali Ushtarak) nuk pranonin t’i lidhnin  këto kontrata, sepse ishin në shkelje të ligjit. Punonjësit të transferuar pranë këtyre spitaleve kanë punuar 1 vit pa kontrata. Sapo ky problem, para 2 javësh i publikua në media (Në emisionin “Stop”), ju dha urdhër këtyre 2 spitaleve të lidhnin kontratat. Të 2 këto spitale sigurisht që kanë shkelur ligjin. Në kontratat e punës kanë shkrojtur se ky personel punon në Urgjencën Ambulatore. Si ka mundësi që një shërbim spitalor të bëjë kontrata pune për shërbim ambulator dhe duke mos i patur këto punonjës as në territorin e vet. Këta firmosën dhe do të vazhdojnë të firmosin borderotë e pagave që ja çon ish-shefi i Urgjencës së Tiranës. Edhe ky veprim është në shkelje të ligjit. Na vjen keq që dhe administrata e këtyre 2 spitaleve u përfshi në lojën e Beqes. Por do të kërkojmë të verifikohen këto 2 shkelje nga organet kompetente”, shprehen mjekët.
Më tej, mjekët shkruajnë në reagimin e tyre se, Beqaj dhe Brataj në prag të thirrjes në Komisionin e Shëndetësisë dhanë urdhër, që autoambulancat e Urgjencës të shpërndaheshin në 3 pika në Tiranë dhe pikërisht në QSUT, Ambulanca e Lagjes 6 dhe 9 me kushte skandaloze. “Pse nuk i çuan në Sanatorim dhe në Spitalin Ushtarak, siç thanë para 1 viti. Z. Brataj nuk e njihte askush në këto institucione dhe nuk ja hapnin derën, sepse ky nuk ka asnjë kompetencë mbi këto spitale dhe jo më të urdhëroj personelin e tyre të dalë në vizita ambulatore nëpër shtëpi, siç prrallis herë pas here Brataj. Ngeli personeli i Urgjencës nëpër trotuare si endacak, sepse nuk futen dot në ato dhoma birruca, shumë ofenduese për personelin.
Punonjësit më të nderuar në profesionin më të vështirë në këto momente janë më të braktisur nga të gjithë burokratët, por jo nga populli, të cilit i shërbejnë me devotshmëri, pavarësisht kushteve të vështira në të cilat punojnë. Si do që të jetë ky personel do t’i shërbejë siç i ka shërbyer deri tani qytetarëve të Tiranës pavarësisht braktisjes që i ka bërë shteti. Qytetarët këtë e shikojnë dhe i mirëkuptojnë punonjësit e Urgjencës së Tiranës për kushtet në të cilat punojnë. Të dy palët i janë mirënjohës njëri-tjetrit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e mjekëve të Urgjencës së Tiranës.

Exit mobile version