Meksika dhe Portugalia hedhin një hap të madh drejt gjysmëfinales së Kupës së Konferederatave. Në Grupin A, kampionët e Europës kaluan 1-0 me gol të të përhershmit Cristiano Ronaldo vendasit. Rusia u tregua e pafuqishme për t’u bërë ballë luzitanëve që zhvilluan një 90 minutësh të kujdesshëm, duke u larguar nga kjo sfidë me tre pikë të arta. Numri 7 e realizoi golin e vetëm të sfidës që në minutën e 8, por pavarësisht këmbënguljes, Portugalia nuk arriti ta thellonte rezultatin. Me këtë fitore, skuadra luzitane ngjitet në kuotën e 4 pikëve në vendin e dytë të Grupit A po aq sa Meksika që hasi shumë vështirësi për të kaluar Zelandën e Re. Ishte skuadra ishullore që kaloi e para në avantazh me Wood në minutën e 42-të duke e vështirësuar misionin për meksikanët. Gjithsesi, ekipi nga Amerika Qendrore reagoi në minutën e 54 me Jimenez që vendosi baraspeshën. Peralta në të 72-ën riktheu buzëqeshjen e meksikanëve që e mbyllën me shumë vështirësi këtë duel, por u ngjitën në vendin e parë. Në ndeshjen e tretë Meksika sfidon Rusinë, ndërsa Portugalia ka një test më të lehtë në letër kundër Zelandës së Re që në këtë kompeticion numëron dy humbje dhe klasifikimin në grup me 0 pikë.