Barazim dramatik mes Portugalisë dhe Meksikës në takimit e dytë të Grupit A në Kupën e Konfederatave. 2-2 përfundoi kjo përballje e zhvilluar në qytetin e Kazanit, ku meksikanët arritën të shmangnin humbjen në minutën e dytë shtesë të ndeshjes. Një moment i veçantë u regjistrua në minutën e 22-të teksa Portugalisë iu anulua një gol pas përdorimit të moviolës.
Gjithsesi në minutën e 34-t Cristiano Ronaldo nxori të lirë në krahun e djathtë Quaresman, që pasi shmangu portierin realizoi me portën e boshatisur. Meksika barazoi para se të mbyllej pjesa e parë me Chicharito Hernadezin, i shërbyer nga Carlos Vela. Alves Cedric kaloi për herë të dytë në avantazh Portugalinë 4 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, por në shtesë, Hector Moreno barazoi takimin pas ekzekutimit të një këndoreje.
Në Grupin B, Kili vuajti shumë për të mposhtur Kamerunin, duke i shënuar 2 gola të 10 minutat e fundit të ndeshjes. Në fakt “La Roja” arriti të shënonte në fund të pjesës së parë me Vargas, por edhe në këtë rast moviola ndihmoi kryesorin për ta anuluar golin. Gjithsesi Kili pas 80 minutave dominim arriti ta thyente Kamerunin me Arturo Vidal, që në këtë rast u asistua me një krosim perfekt nga Aleksis Sanchez. Në kohën shtesë Vargas erdhi pas shpinës së mbrojtjes dhe përballë portierit shënoi golin e dytë dhe të fundit të sfidës, me Kilin që koleksionon trepikët e para në grup.
Ashtu si takimi i parë i pasdites, edhe ndeshja e darkës në Kupën e Konfederatave mes Kilit dhe Kamerunit ka parë ndërhyrjen e vazhdueshme të VAR, videoasistentit që po testohet në këtë turne. Falë ndihmës së VAR, iu anulua me të drejtë një gol Kilit në pjesën e parë të ndeshjes për pozicion jashtë loje të Vargas.
Por gjithsesi, kjo nuk i hoqi nga duart Kilit fitoren, pasi falë dy gola të shënuar në minutat e fundit me Vidal e Vargas, arriti të merrte tri pikët në fundin e kësaj ndeshjeje të parë.