Revolta e banorëve të qytetit të Memaliajt për mungesën e ujit të pijshëm prej më shumë se një muaji ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme. Banorët shprehen se uji në Memaliaj është ndërprerë nga të fortët e Tepelenës, të cilët kanë përkrahjen e kryetarit të Bashkisë, Tërmet Peçi. Ka dyshime se uji është ndërprerë nga të fortët e Tepelenëse për drogën.
Banorët thonë se, pas tharjes së burimit në fshatin Lekël me të cilin furnizohej me ujë Tepelena, Tërmet Peçi ka urdhëruar që uji i Bënçës që furnizonte Memaliajn të kalojë për Tepelenën. “Furnizoheshim direkt nga ujësjellësi që u bë për qytetin e Memaliajt, që e merrnim nga Bënça, kurse Tepelena e ka marrë nga fshati Lekël. Tani që është tharë Lekli, atje të fortët e Tepelenës mbajnë Tepelenën me ujin e Memaliajt. Uji vjen një orë në ditë, por ka raste që nuk vjen fare”, shprehen banorët e revoltuar. Për këtë gjendje të krijuar, banorët kanë kërkuar që Memaliaj të mos jetë më nën varësinë e Ujësjellës-Kanalizimeve Tepelenë.
Banorët shprehen se, mungesa e ujit të pijshëm i ka detyruar të mbushin ujë në lumin e Vjosës, por sipas tyre, cilësia e tij është larg konsumit. Për rrjedhojë, blerja e ujit është alternativa e vetme për banorët, për t’iu shmangur ndonjë epidemie që do të kishte pasoja të rënda për shëndetin. “Uji është me orar dhe nuk është në parametrat e duhur, vjen një orë në mëngjes, pastaj nuk vjen më”, shprehet një prej banorëve.
Problemet me ujin e pijshëm vijnë, ndërkohë që pak vjet më parë, në Ujësjellësin e Memaliajt janë investuar rreth 1 milion euro. “Mbushim ujë me bidona, vemi marrim ujë me makinë”, deklaron një banor. “Këto që heqim neve nuk i heq njeri. Drita s’ka, ujë s’ka, të dalë perëndia tani”, shprehet një banore e Memaliajt.
Për këtë situatë katastrofike një ditë më parë reagoi edhe ish-Kryeministri Berisha. “Gjendje katastrofe për ujë të pijshëm në Memaliaj! Tërmeti ndëshkon qytetin me vetëm 1 orë ujë në 24 orë!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke bërë publik edhe një mesazh të ardhur nga ky qytet.
“Qytetin e Memaliaj e kërcënon realisht një epidemi e rëndë për shkak të kushteve higjienike shumë të këqija që ka krijuar ndërprerja pothuaj e plotë e ujit të pijshëm nga Tërmeti i Edi Ramës. Nuk ka dyshim që thatësira ka ndikuar shumë në burimet e Ujësjellësit të Tepelenës, por shkak më kryesor është keqmenaxhimi i tij dhe qëndrimi i papërgjegjshëm i Tërmetit të Partisë, që e ka mendjen jo tek furnizimi me ujë i qytetarëve, por i arave të kanabisit. I bëj thirrje Prokurorisë të nisë hetimin menjëherë për të nxjerrë shkaqet dhe përgjegjësit e vërtetë të situatës tejet kërcënuese për shëndetin që kalojnë banorët e qytetit Memaliaj”, shkruante Berisha.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tepelenës ka pranuar dje mungesën e ujit të pijshëm në Memaliaj, por shprehet se mungesa e ujit ndodh për shkak të amortizimit të tubacioneve. Tërmeti nuk thotë asnjë fjalë pse uji i planifikuar për Memaliajn ka kaluar për furnizimin e qytetit të Tepelenës.
Banorët e Memaliajt protestuan të hënën para Bashkisë, si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm prej një muaji dhe deklaruan se do të përshkallëzojnë protestën derisa t’u kthehet uji i pijshëm. Protestës së banorëve iu bashkua edhe nënkryetari i Bashkisë së Memaliajt, Fetah Hoxha. Ai deklaroi se, do të mbështesë banorët në kërkesën e tyre të drejtë për furnizimin me ujë të pijshëm. Banorët e qytetit të Memaliajt i shlyejnë faturat e ujit të pijshëm rregullisht, megjithëse ka një muaj që uji nuk shkon në rubinetat e tyre.
R.POLISI