Humbja 1-4 e Peskarës në “Adriatico” ndaj Romës, konfirmoi zyrtarisht verdiktin e parë sezonal në Serinë A, rënien e skuadrës së Zdenek Zeman një kategori më poshtë. Mirëpo jo të gjithë lojtarët do ta ndjekin ekipin abrucez në Serinë B. Ledian Memushaj, për peshën që ka patur në ngjitjen e Peskarës në elitën e futbollit italian, por edhe me formën që ka treguar gjatë këtij sezoni, pavarësisht rezultateve, do të mbetet pjesë e Serisë A. Sipas mediave italiane, mesfushori i kombëtares shqiptare është objektiv i Bolonjës, që kërkon një lojtar me tiparet e 30-vjeçarit vlonjat për të zëvendësuar një tjetër futbollist me origjinë shqiptare, Blerim Xhemailin, i cili do të transferohet te Montreal Impact në MLS.
Do të jetë pikërisht Memushaj dhurata e parë e merkatos verore për trajnerin Roberto Donadoni, i cili e vlerëson shqiptarin për cilësitë organizative, aftësitë për të dhënë asist dhe goditur portën.
Memushaj është një nga lojtarët me më shumë minuta te Pescara në këtë sezon, teksa në 31 ndeshje ka mundur të shënojë një gol dhe të asistojë në tri raste shokët e skuadrës.
Ndoshta një lojtar i nënvlerësuar për sezone me radhë në futbollin italian, futbollisti kuqezi ka fituar statusin e një lojtari cilësor dhe me eksperiencën e nevojshme për të dhënë kontribut në pjesën më të madhe të skuadrave të Serisë A.