Lojë, sakrificë, duele dhe goditje drejt portës. Ledian Memushaj ishte absolutisht lojtari më i mirë për Pescara-n në humbjen 1-0 me Milanin, në sfidën e javës së 11-të të Serisë A. Pavarësisht përplasjes në kokë me shokun e ekipit, Aquilani, mesfushori kuqezi qëndroi në fushë me fashën e gjakosur. Goditja e pësuar ishte një episod që nuk e trembi, përkundrazi nga ai moment, 29-vjeçari vendosi disa herë në provë portierin Donnarumma.
Mesfushori vlonjat u vlerësua me notën 6,5 për paraqitjen në stadiumin “San Siro”, ku së bashku me portierin Bizzari spikatën për ekipin e Pescarës. Mediat italiane e vlerësuan Memushajn si “një luan në fushë”, ndërsa theksuan se ai ishte tejet i frymëzuar, duke vendosur tre herë në provë Donnarumma-në, me portierin e Milanit që realizoi mrekulli për të evituar golin. Në minutat e fundit, mesfushori dha edhe asistin për golin e Rey Manajt, të anuluar për pozicion jashtë loje të sulmuesit. Pas ndeshjes, kapiteni i “delfinëve” shprehu të gjithë zhgënjimin për disfatën minimale. Në zonën miks, ai deklaroi se “Pescara meritonte më tepër për atë që dha në fushë”.
Pasi komentoi me humor përplasjen me Aquilani-n, që bëri të ditur se nuk ka asnjë shqetësim, ndërsa shoku i tij i ekipit pësoi një çarje më të madhe, Memushaj foli edhe për emocionet e ndeshjes në “San Siro”, duke treguar se “të luash në një stadium të tillë është mjaft e bukur”, megjithatë nuk e mendoi më tepër këtë pjesë “sepse në të kundërt rrezikonte që emocionet të ndikonin në paraqitjen ndaj Milanit”.