Men in Red: Joe Fagan

Joe Fagan u lind në Liverpool me 12 mars të vitit 1921. E kaloi fëmijërinë e tij në lagjen Litherland, duke i ndjekur së afërmi gjestet e të dyja skuadrave të qytetit, me një preferencë për Reds-at për faktin, sipas thënies së tij, se sektori i rezervuar fëmijëve ishte më i mirë në Anfield sesa në Goodison Park.

Frekuentoi St. Elizabeth Central School, duke e çuar skuadrën e futbollit të institutit në fitoren e Daily Dispatch Trophy në vitin 1935. Stoper i mirë, i shkëlqyer me kokë dhe i vështirë për t’u kaluar me topin në këmbë, pas diplomës ju bashkua amatorëve të Earlstown Bohemians, ku tërhoqi mbi vete vëmendjet e klubeve të ndryshme. Pavarësisht se kishte marrë një ofertë nga Liverpool, në fund zgjodhi Manchester City, klub që e vuri nën kontratë në tetorin e vitit 1938. Një vit më vonë, fillimi i Luftës së Dytë Botërore e ndërpreu papritmas karrierën e Fagan. Gjatë kohës së luftës, Joe i shërbeu vendit të tij në Marinë, gjë që nuk e pengoi të luante, kur ishte e mundur në ligat e ngritura në atë periudhë. Me mbarimin e luftës, Fagan bëri debutimin e tij me Citizens-at me 1 janar të 1947 dhe në katër sezonet e mëpasëm zbriti në fushë 168 herë. Duke filluar nga viti 1948 qe edhe kapiteni i skuadrës.

Tashmë 30 vjeçar, Joe e la Maine Road në vitin 1951 për t’ju kushtuar zanatit të tij të ri si inspektor gazometrash, megjithëse duke e ruajtur një lidhje me botën e futbollit si lojtar – menaxher i skuadrave amatore. Falë kredencialeve të mira si një bashkëluftëtar i vjetër, Fagan arriti në Anfield si asistent trajner në vitin 1958, me vetëm 18 muaj përpara se Bill Shankly, që e kish admiruar gjithmonë si lojtar në kohën e Manchester City, kur meaxheri skocez ishte tek Grinsby. Nga stafi teknik Fagan, i njohur dhe si “Uncle Joe”, ishte figura më e afërt me lojtarët, i të cilëve, përveçse trajner, ishte edhe këshilltar dhe shok. Aftësia e tij për të shprehur kritika gjithmonë të sinqerta dhe të arsyetuara e bënte krejtësisht të besueshëm përpara syve të lojtarëve; nga ana tjetër, këto kritika ishin të shprehura gjithmonë në mënyrë të qetë e të dhembshur, pa mundur që të ngrihej ndonjë dysh nga ana e lojtarëve. Kjo nuk e përjashton që Fagan dinte të ishte edhe shumë i ashpër kur ndokush e kalonte shenjën, por vetëm pak kokëshkretë do t’i eksperimentonin versionin e “keq”. Këto aftësi njerëzore, të bashkuara me njohjen e madhe të futbollit, e vunë qysh nga fillimi në dritë të shkëlqyer në brendësi të klubit kuqalash. Fagan u emërua “first team trainer” në vitin 1971, për t’u promovuar më pas në rolin e “chief coach” në vitin 1974, kur dorëheqja e papritur e Shankly çoi në një rishpërndarje totale të detyrave në Anfield.

Në vitin 1979 Joe ngjiti edhe një shkallë tjetër në hierarkinë e Boot Room, duke u bërë assistant manager. Me këtë cilësi kontribuoi jashtëzkaonisht në serinë më të madhe të sukseseve në historinë e klubit. Është e njohur sesi gjatë sezonit 1981/82 qe pikërisht Fagan ai që e vuri në rregull skuadrën: lojtarët e kalonin kohën duke pyetur veten mbi motivet e rënies së formës së tyre sesa të përqëndroheshin në ndeshje dhe në stërvitje. Në fund të sezonit Liverpool doli kampion i Anglisë. Në verën e vitit 1983 Bob Paisley dha dorëheqjen dhe Fagan u emërua menaxher. Ngjitja, e zgjatur gjysmë shekulli, më së fundi ishte kompletuar dhe Joe u rigjet shpejt përpara një detyre të vështirë: ta mbante Liverpool në nivelet më larta, në atdhe, ashtu si dhe në Europë

Sezoni filloi me një humbje ndaj Manchester United në Wembley e vlefshme për Charity Shield. Reds-at u mundën në mënyrë të merituar 2 me 0 dhe në konferencën për shtyp oas ndeshjes Fagan dha një provë sesa e kishte për zemër qetësinë e skuadrës, për t’u mbrojtur me çdo kushte duke i vënë përpara fytyrën e vet dhe shpatullat e veta të forta: ftoi gazetarët që të akuzonin atë dhe vetëm atë, fajtor se kishte gabuar kohët e ndërrimeve. E para e kampionatit në Molineux e pa Liverpool të barazojë 1 me 1 kundër Wolverhampton: ishte ndeshja zyrtare e 9-të radhazi pa fitore, seria e zezë më e gjatë qysh nga fillimi i erës Shankly. E plagosur në krenarinë e saj, skuadra reagoi nga ana e saj duke fituar 5 nga 6 ndeshjet e ardhshme radhazi. Qarkullimi mund të quhej kështu i përfunduar.

Sezoni u mbyll me fitoren e Silverware të kampionit të Anglisë, i fituar për herë të parë në historinë e klubit të Anfield tri herë radhazi. Ian Rush shënoi 32 gola. Kishte 16 vjet që një lojtar i Reds-ave nuk kalonte kuotën e 30 golave në kampionat: i fundit që e kishte arritur këtë ndërmarrje kishte qenë në fakt Roger Hunt në sezonin 1965/66. Për t’u shënuar një pesëgolësh i shënuar kundër Luton Town në tetor dhe një katërgolësh të bërë Coventry në maj. Në fund të sezonit, golat e përgjithshëm të shënuar për uellsianin qenë 47.

E vetmja notë negative e sezonit qe eliminimi i parakohshëm nga FA Cup, i shkaktuar nga Brighton në turin e katërt. Në kompensim, në stendën e Anfield erdhi League Cup e katërt radhazi, e siguruar në një finale historike kundër Everton. Për herë të parë në 92 vjet histori, të dyja skuadrat e Merseyside u gjendën njëra përballë tjetrës në aktin finale të një kompeticioni. Në Wembley përfundoi 0 me 0 dhe përsëritja u zhvillua në Maine Road të Manchester dhe pa fitoren e Reds-ave 1 me 0. Përsëritja e një ndeshjeje qe një konstante e këtij edicioni të League Cup për Liverpool, që për të fituar trofeun ju desh që të luante 13 ndeshje të mira!

Në Europë jeta sigurisht që nuk qe më e lehtë: për tri ture të mira djemtë e Fagan u desh që ta luanin ndeshjen e kthimit në transfertë, pas barazimesh apo fitoresh të ngushta të siguruara në muret vendase. Pas eliminimit të lehtë të danezëve të BK Odense (6 me 0 rezultati i përgjithshëm) shorti u rezervoi atyre baskët e Athletic Bilbao, që në ndeshjen e vajtjes arritën të sigurojnë një 0 me 0 të vyer në Anfield. Në ndeshjen e kthimit, të luajtur në ferrin e stadiumit San Mamès, qe Ian Rush ai që i nxorri gëshntenjat nga zjarri duke shënuar 1 me 0 përfundimtar dhe duke e kaluar skuadrën në turin e ardhshëm, ku i priste Benfica. Ndeshja e vajtjes u zgjidh edhe një herë akoma nga uellsiani Rush, goli i të cilit – i vetmi i ndeshjes – nuk mund të garantonte asgjë në ndeshjen e kthimit. Përpara më shumë se 100 mijë tifozëve të stadiumit Da Luz, Liverpool luajti një prej ndeshjeve më të mira të historisë së tij, duke fituar 3 me 1. Në gjysmëfinale shorti i ndeshi me rumunët e Dinamo Bukureshtit, ndërsa nga ana tjetër ndesheshin AS Roma me Dundee United. Sammy Lee u garantoi të tijëve një sukses tjetër 1 me 0 në ndeshjen e parë në shtëpi, rezultat sa i ngushtë, aq edhe i çmuar: në Bukuresht Fagan vendosi për një ndeshje alla italiançe, mbrojtje e hekurt dhe kundërsulm të shpejtë. Një dygolësh i Rush e kaloi Liverpool në finalen e Olimpico, për t’u luajtur në të gjitha efektet në transfertë kundër verdhekuqëve të Niels Liedholm.

Përpara finales, siç u tha më sipër, Liverpool u kurorëzua kampion i Anglisë, duke barazuar në Nottingham kundër Notts County. Në sezonin e tij të parë si menaxher, Fagan po “rrezikonte” seriozisht që të siguronte një Treble të pabesueshme, ndërmarrje e paarritur deru më atëhere nga asnjë skuadër në Angli. Mbetej pengesa e fundit, ajo shumë më e vështira nga të gjitha për t’u kaluar: një finale për t’u luajtur në stadiumin e kundërshtarëve, përpara 60000 tifozëve vendas që prisnin të përjetonin ditën më të rëndësishme të skuadrës së tyre. Në mbështetje të Reds-ave, 20000 tifozë kishin zbritur nga Liverpool dhe kujtimi i ëmbël i fitores historike të vitit 1977, e siguruar pikërisht në stadiumin Olimpico kundër Borussia Mönchengladbach. Tani ashtu si atëhere, Phil Neal shkroi emrin e tij në tabelën e golashënuesve, duke i kaluar në avantazh Reds-at. Roma barazoi me Roberto Pruzzo dhe rezultati nuk ndryshoi më, bile as pas kohës shtesë prej 30 minutash. Në gjuajtjet e penalltive, avantazhi vendor u kthtye kundër verdhekuqëve, të cilët, në mënyrë të dukshme mjaft nervozë, gabuan 2 gjuajtje nga 4 të tilla. Penalltia vendimtare u depozitua në rrjetë nga Alan Kennedy, ish match winner në Paris kundër Real Madridit në finalen e 1981. Kupa kthehej kështu sërish në brigjet e Mersey dhe Fagan fitonte kështu një treble në sezonin e tij të parë si menaxher, duke hyrë kështu menjëherë në Olimpin e të Mëdhenjve. Festa e mbështetësve angleze shpërtheu, për t’u njollosur më pas gjatë gjithë natës nga incidente të rënda me ultrasët romanistë. Atëhere askush mund të fliste, por kjo gjë do të ishte vetëm një prelud i vogël i asaj që do të ndodhte një vit më pas në Bruksel, në finalen e turpshme të stadiumit Heysel.

Pas blerjeve në sezonin veror të Walsh dhe Molby, sezoni i radhës filloi saktësisht si ai i mëparshmi: me një humbje në Charity Shield, e pësuar në dëm të Everton n hakmarrjen e finales së League Cup. Në Anfield askush nuk bëri drama: bile shumë e panë kolapsin londinez si një ogur të mirë. Nuk e dinin se ai që po përgatitej të fillonte do të ishte sezoni më dramatik i përjetuar ndonjëherë nga Liverpool deri në atë moment. Duke e kufizuar analizën në rezultatet e arritura në fushë, kemi të bëjmë me një sezon mediokër, të paktë midis kufijve të atdheut. Në kampionati u arrit në një një vend të dytë që do të mund të quhej edhe i nderuar, sikur të mos kishte qenë për 13 pikët larg nga kushërinjtë e Everton. Në League Cup, nëpërmjet Tottenham, erdhi humbja e parë në kompeticion pas 5 vjetësh. Së fundi, rrugëtimi në FA Cup përfundoi në Maine Road, në gjysmëfinalen kundër Manchester United.

Çdo shpresë për sukses i ishte besuar kështu asaj që prej vitesh ishte tashmë një lloj prone private: European Cup. Liverpool arriti në finalen e Burukselit me lehtësinë më të madhe, duke eliminuar dora dorës polakët e Lech Poznan, portugezët e Benfica, austriakët e Austria Vjenës, për të përfunduar me grekët e Panathinaikos, të shtypur copë e thërrime 4 me 1 ndeshjen e parë në Anfield në gjysmëfinalen e parë dhe të mundur më pas edhe në shtëpinë e tyre 1 me 0.

Në Heysel, Reds-at do të luanin kështu finalen e 5-të në 9 pjesëmarrje në Kupën e Kampionëve. Kundërshtare, Juventus i Giovanni Trapattoni dhe i Michel Platini, fituese tashmë e Superkupës Europiane pikërisht në dëm të njerëzve të Fagan. Kronika e pastër sportive rrëfen se ndeshja, e luajtur me 29 maj të vitit 1985, përfundoi me fitoren e italianëve me rezultatin 1 me 0.

Ajo që ndodhi atë mbrëmje e tejkalon shumë çdo konsideratë teknike. Mbi shkaqet dhe mbi përgjegjësitë janë hedhur lumenj të tërë boje dhe nuk është qëllimi ynë në këtë shkrim që të hyjmë në themel. Gjëja e vetme e sigurtë është se në të humbën jetën 39 tifozë juventinë. Fagan e kishte marrë tashmë vendimin për ta lënë detyrën e menaxherit në fund të sezonit, por ajo që ndodhi në truallin belg e shkatërroi nga pikëpamja njerëzore, përveçse se profesionalisht. Pamjet e menaxherit çalues që ngjitet nëpër shkallaren e avionit të kthimit në Liverpool Speke Airport i mbajtur nga miku i madh i tij Roy Evans janë akoma sot të ngulitura në mendjet e miliona njerëzve

Pa largimit, Fagan mbajti një profil shumë të ulët, i vetëdijshëm se, pavarësisht një rekordi të pabesueshëm fitoresh, për shumë ai do të mbetej “menaxheri i Heysel”. Në ndonjë rast të rrallë, u  kthyer për vizitë në Melwood gjatë epokës së Roy Evans si menaxher.

Fagan ndërroi jetë me 30 qershor të vitit 2001, në kohë për të asituar, pak javë më parë, në fitimin nga ana e Liverpool të tij e Treble-s së dytë të trofeve në historinë e tij. Një Treble për më tepër më pak fisnike se ajo e fituar nga djemtë e tij në atë vit magjik e të largët 1984.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Exit mobile version