Menaxheri Giuffredi: Hysaj rendiment të lartë

Për Elseid Hysajn parashikohet një pjesë e dytë e sezonit mjaft intensiv në radhët e Napolit. Mbrojtësi shqiptar, një titullar i padiskutueshëm për Maurizio Sarrin në krahun e djathtë të mbrojtjes, tani duhet të mendojë edhe për mbulimin e roleve që nuk janë natyrale për të. Kjo për shkak të dëmtimit të ri të pësuar nga Ghoulam dhe mosndërhyrjes gjatë merkatos së janarit për të marrë një mbrojtës të djathtë si alternativë. Tashmë futbollisti i kombëtares shqiptare ka mbetur si “ujët e paktë” në formacionin e Sarrit për fazën mbrojtëse, me trajnerin që duhet t’i lutet Zotit që të mos i ndodhë ndonjë dëmtim i papritur. Pas paraqitjes shumë të mirë të Hysajt ndaj Lazios, menaxheri i tij Mario Giuffredi deklaroi me humor në Radio Kiss Kiss se “Hysaj ka treguar se mund të bëjë mirë në fazën sulmuese. Pikërisht ndaj Lazios ishte i fokusuar më shumë në sulm, ndërsa në ndeshjet e tjera ka menduar më shumë për mbrojtjen. Iu drejtova me një batutë: rendimenti i tij i lartë ka ardhur pasi ndërroi këpucët”.
Hysaj është aktivizuar në 21 nga 23 ndeshjet e këtij sezoni në Serinë A dhe në asnjë rast nuk është dëmtuar apo zëvendësuar, qoftë edhe për arsye fizike. Madje sezonin e kaluar e mbylli si futbollisti me më shumë minuta në këmbë te skuadra e Napolit. 24-vjeçari, falë përshtatjes së tij, pritet të aktivizohet nga Sarri edhe në krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku Napoli ka më shumë probleme në organikë.

Artikulli paraprakSulmet amerikane vrasin mercenarë rusë në Siri
Artikulli tjetërBarça-Arthur, marrëveshja për zbatim në janar 2019