Menaxheri: Hysaj i lumtur te Napoli

Pas intensifikimit të zërave për interesimin e Manchester United dhe Chelsea-t për Elseid Hysajn, menaxheri i mbrojtësit shqiptar, Mario Giuffredi këmbënguli se lojtari është i lumtur te Napoli.
Dy gjigantët e Premier League-s kanë nisur një duel në distancë, për të siguruar shërbimet e 22-vjeçarit prej merkatos së janarit. Jose Mourinho dëshiron të përforcojë krahun e djathtë të mbrojtjes te United, ndërsa Antonio Conte e ka në listën e dëshirave për revolucionin që po përgatit në “Stamford Bridge”.
Megjithatë, gjatë një interviste për radion “Kiss Kiss”, përfaqësuesi i kuqeziut sqaroi pozicionin e Hysajt, duke deklaruar se “Elseidi është shumë i lumtur te Napoli”.
“E shoh jashtëzakonisht të qetë, ashtu sikurse ka ndodhur përgjatë gjithë karrierës së tij”, deklaroi Giuffredi. Ai ishte personi që gjatë muajit të kaluar foli për interesimin e Manchester United, duke deklaruar se, “Hysaj do të ishte një vlerë e shtuar për ‘Djajtë e Kuq’ dhe një përforcim cilësor”.
Pasi sqaroi pozicionin e futbollistit nga Shkodra, që sezonin e kaluar u shpall mbrojtësi më i mirë i krahut të djathtë në Serinë A italiane dhe javët e fundit rinovoi kontratën me Napolin, duke përfshirë një klauzolë shitjeje në vlerën e 50 milionë eurove, menaxheri la të hapur çdo mundësi.
“Nëse një ofertë e madhe vjen në adresë të klubit dhe futbollistit, padyshim që do ta shqyrtojmë në kohën e duhur”, ishin fjalët e Giuffredi-t.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërGashi, ndër 50 lojtarët më me influencë në MLS