Mbrojtësi shqiptar i Napolit, Elseid Hysaj, është një nga emrat më të kërkuar në merkaton e futbollistëve, por çmimin e kartonit të tij, që i kalon 20 milionë euro, mund ta përballojnë vetëm klubet e mëdha Europiane. Barcelona dhe Bayern Munich po e monitorojnë me shumë kujdes 22-vjeçarin, që rezulton të jetë futbollisti me moshë më të re që ka luajtur në 37 ndeshje si titullar në 5 kampionatet më të forta në Europë. Megjithatë paga e tij krahasuar me rendimentin në fushën e blertë mbetet qesharake.
Për këtë arsye, menaxheri i futbollistit kuqezi, Mario Giuffredi, për të disatën herë u kujton drejtuesve napolitanë që duhet ta rishikojnë kontratën e Hysajt, para se të jetë vonë, duke i kërcënuar se mund të largohet para kohe nga skuadra. Giuffredi betohet se klienti i tij brenda një kohe të shkurtër do të bëhet një nga lojtarët më të mirë në botë në rolin e tij, ndaj Napoli nuk mund të qëndrojë indiferent për shkak të kohëzgjatjes aktuale të kontratës, e cila skadon në vitin 2020. Sugjerimi i menaxherit të Hysajt është që marrëveshja e re të firmoset para finaleve të Europianit, turne ku Shqipëria merr pjesë për herë të parë. Hysaj edhe ka më shumë minuta në këmbë se çdo lojtar tjetër i Napolit mbetet ndër më pak të paguarit, me rreth 500 mijë euro në sezon.