Menaxhimi i mbetjeve u kushton shtrenjtë bashkive, Durrësit iu trefishuan kostot nga Sharra

Nga Erisa Kryeziu

Menaxhimi i mbetjeve urbane, megjithëse përlan një pjesë të konsiderueshme të buxheteve të bashkive, vazhdon të jetë emergjencë. Sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 2020-2023 në katër bashki: Vlorë, Korçë, Shkodër dhe Durrës, situata e menaxhimit të mbetjeve mbetet shqetësuese, duke i ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut për sëmundje.

Sipas raportit të KLSH, më shqetësuese situata është në Durrës, pasi bashkia nuk garanton qëndrueshmëri
financiare të këtij procesi. Arsyeja kryesore e mos mbulimit të shpenzimeve është ndryshimi i venddepozitimit të tyre në landifillin e Sharrës, duke rritur ndjeshëm peshën që zë menaxhimi i mbetjeve në buxhetin total të bashkisë.

Rreth 1/3 ose rreth 30 % e buxhetit të bashkisë së Durrësit shkon për menaxhimin e mbetjeve urbane, ndërkohë që referuar Kombeve të Bashkuara ky tregues duhet të jetë në nivelet 3-15 %”, – thuhet në raportin e KLSH.

Deri në tetor 2021, bashkia Durrës i depozitonte mbetjet në vend depozitimin e Porto Romanos, i cili është mbyllur pasi është kthyer në park ekologjik, duke i depozituar tanimë në landfillin e Sharrës. Kjo gjë ka shtuar kostot e transportit për depozitimin e mbetjeve të kësaj bashkie.

“Kosto e transportit të mbetjeve urbane është 9-fishuar nga viti 2020 në vitin 2022. Sa i përket kostot së transportit për 1 ton mbetje, në vitin 2020 Bashkia e Durrësit shpenzonte 238 lekë për çdo ton mbetje të transportuar, ndërkohë në vitin 2022 ka shpenzuar 2401 lekë duke bërë që kjo kosto të dhjetëfishohet përgjatë kësaj periudhe”,- thuhet në raportin auditues.

shpenzimet per depozitimin ne lendfill

Në Durrës kostot për të menaxhuar mbetjet urbane janë rritur tre herë më shumë se në tre bashkitë e tjera të marra në auditim.

“Bashkia Durrës për çdo ton të menaxhuar të mbetjeve urbane shpenzon 15.300 lekë në vit, ndërkohë që për të njëjtin vit bashkia e Shkodrës ka shpenzuar 5,271 lekë për ton, dhe ajo e Korçës 6,682 lek për ton”,-thotë KLSH.

Vlora, fushë depozitimi mbeturinash pa asnjë kriter

Ndërsa Durrësi përballet me probleme financiare, menaxhimi i mbetjeve urbane në bashkinë e Vlorës paraqet problematika të tjera edhe më të rënda. Sipas KLSH, në këtë bashki mbetjet urbane depozitohen në një fushë të depozitimi e cila nuk respekton asnjë kriter mjedisor si dhe digjen në mjedis të hapur duke shkaktuar problematika të rëndësishme në shëndet dhe mjedis që vijnë nga çlirimi i dioksinave dhe furaneve.

“Ekspozimi ndaj dioksinave, furaneve etj., shkakton lloje të ndryshme të kancerit, probleme të
mëlçisë, dëmtime të sistemit imunitar, sistemit endokrin dhe funksioneve riprodhuese si dhe efekte
negative në zhvillimin e sistemit nervor
“, – rendit KLSH shqetësimet shëndetësore që mund tu vijnë banorëve nga ekspozimi i djegies së mbeturinave.

Djegia e mbetjeve urbane gjatë korrikut në Vlorë ishin shqetësuese për banorët dhe turistët. Tymi dhe era e keqe sollën pasoja jo vetëm për turizmin, por më e rëndësishmja për shëndetin e banorëve.

Sipas KLSH-së vendgrumbullim i Vlorës është më pak se 50 metra afër banesave ndaj era e rëndë dhe tymi janë probleme serioze për banorët.

“Nuk ka menaxhim të ujërave sipërfaqësore, nuk ka sistem bazë izolimi, sistem grumbullimi të lëngut e gazrave që krijohen nga mbetjet. Lëngu i prodhuar nga mbetjet shkakton ndotje të tokës si edhe të ujërave nëntokësore dhe ujërave sipërfaqësore; gazi që çliron vendgrumbullimi përhapet direkt në atmosferë. Për shkak se mbetjet nuk mbulohen me dhe, përbërësit e lehtë merren nga era dhe ndotin zonat fqinje”,-thotë KLSH.

Sipas KLSH-së bashkia Vlorë nuk sigurim menaxhim eficient të fondeve të dedikuara për mbetjet urbane. Ndryshe nga bashkitë e tjera ajo nuk paguan tarifë depozitimi pasi nuk i dërgon mbetjet në landfill.

“Ndaj, edhe pse mund të duket se bashkia Vlorë shpenzon njësoj ose më pak se bashkitë e tjera, duhet thënë që ajo nuk arrin të përmbushi detyrimet ligjore mbi menaxhimin e mbetjeve urbane”,-thuhet në raport.

Sipas KLSH-së në të katërta bashkitë e marra në auditim vihet re se nuk kanë arritur të përfitojnë nga trajtimi i mbetjeve. Në asnjë prej këtyre katër bashkive nuk kryhet riciklimi.

“Metodat e trajtimit të mbetjeve që krijojnë të ardhura janë riciklimi, kompostimi dhe incinerimi. Shkaku për këtë situatë qëndron në faktin se këto procese nuk aplikohen gjatë trajtimit të mbetjeve urbane nga bashkitë e audituara”.

Ndërsa bashkia e Vlorës nuk ka garantuar cilësi në menaxhimin e mbetjeve urbane thekson KLSH-ja.

“Kjo mungesë cilësie vjen si rrjedhojë e mos depozitimit të mbetjeve urbane në një landfill të miratuar që respekton standardet ligjore e mjedisore. Në këtë situatë, bashkia Vlorë nuk ka arritur një menaxhim eficient të fondeve të dedikuara për menaxhimin e mbetjeve urbane”.

Sipas raportit bashkitë Shkodër, Korçë dhe Durrës i depozitojnë mbetjet në landfille të miratuara, përveç Vlorës, vend depozitimi i cili nuk përmbush asnjë kriter dhe standard mjedisor./ Citizens.al

Exit mobile version