Mendes: James nuk largohet nga Reali

James Rodriguez nuk do të largohet nga Reali i Madridit në merkaton e dimrit. Pavarësisht zërave të mediave që flasin për një largim të mundshëm të yllit të Los Cafeteros nga Los Blancos në janar, ka qenë agjenti i futbollistit Jorge Mendes, ai që i  ka siguruar të gjithë se 25-vjeçari do të qëndrojë, në “Santiago Bernabeu” të paktën deri në fund të këtij sezoni. “Nuk e di nëse do të vazhdoj të jem pjesë e Realit, dua të luaj më shumë, tani kam 7 ditë kohë për të menduar”, deklaroi vetë James Rodriguez në përfundim të Botërorit të klubeve. Nga 24 lojtarë që ka aktualisht Reali i Madridit në dispozicion, mesfushori kolumbian aktualisht është i 20-ti në listën e dëshirave të trajnerit Zinedine Zidane me francezin që e ka aktivizuar ish-lojtarin e Monacos vetëm 859 minuta në total në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni. Të dhëna këto që të bëjnë të mendosh se ka ardhur koha që 25-vjeçari i përfaqësueses kolumbiane të largohet nga kryeqyteti spanjoll, por nuk mendon aspak kështu Jorge Mendes.
Menaxheri i futbollistit në një prononcim për mediat ka thënë se nuk ka asnjë shans që James ti japë lamtumirën Realit në janar, kjo ndoshta edhe për faktin që në këtë sesion merkatoje Los Blancos janë të dënuar nga FIFA për të mos vepruar në merkato dhe e kanë të pamundur të gjejnë një zëvendësues për kolumbianin. Në verë, gjërat mund të ndryshojnë, me Chelsean që vazhdon të qëndrojë në pole position për të marrë shërbimet e numrit 10 të Realit. Po flitet edhe për një shkëmbim të mundshëm mes kolumbianit dhe portierit belg të Bluve të Londrës, Thibaut  Courtois. Ndërkohë për golashënuesin më të mirë të Botërorit, Brazil 2014 të cilin Reali nuk e lëshon për më pak se 70 milionë euro interesohen edhe Bayern Munich, Manchester United dhe Interi.
Ndërkohë, Chelsea është tërhequr nga gara për James Rodriguez. Chelsea pritet të zhvillojë një merkto të kujdesshme në janar. Sipas mediave spanjolle, klubi anglez i drejtuar nga Conte është tërhequr nga gara për kartonin e James Rodriguez, i cili nuk po gjen një vend titullari te Reali i drejtuar nga francezi Zinedine Zidane. “Blutë e Londrës”, nuk kanë ndërmend të plotësojnë kërkesën e spanjollëve që për sulmesin e kombëtares kolumbiane kërkojnë rreth 60 milionë euro.

Exit mobile version