Tri ditë pritje dhe ankth, thjesht për të zyrtarizuar eliminimin që në fazën e grupeve. Për Mërgim Mavrajn, ky është shtrembërim i turneut, sepse skuadrat e tjera e dinin me saktësi se cilat ishin rezultatet që do t’i kualifikonin. Mbrojtësi i Kombëtares Kuqezi, në një prononcim për mediat gjermane, shpjegon se sa e vështirë ka qenë për futbollistët shqiptarë të qëndronin para televizorit, duke pritur se si do të përfundonin ndeshjet e grupeve të tjera.
“Gjithçka ishte e çmendur. Sigurisht që ishte një eksperiencë e madhe për të gjithë ne si skuadër, u shpreh fillimisht Mavraj. Kemi qëndruar për disa netë para televizorit me shpresën se mund të kualifikoheshim. Për shembull, për ndeshjen Turqi-Çeki nuk dinim se cilën skuadër të mbështesnim. Barazimi dhe një fitore minimale e Turqisë na leverdiste, por rezultoi një ndeshje e mallkuar për ne, sepse Turqia fitoi 2-0 dhe mendoi për veten e saj dhe jo për ne. U zhgënjyem të gjithë, sepse kjo ndeshje ishte shpresa jonë e madhe”.
Mavraj shprehet më tej se e ka patur të vështirë ta kuptonte se si mund të shkonin gjërat. Pas fitores me Rumaninë ia kishin shpjeguar se duhet të priste për disa ditë për të mësuar fatin e Shqipërisë.
“Nuk mund të jetë ky qëllimi i Europianit. Kemi luajtur kundër Francës dhe Zvicrës, ndërsa të tjerët me kundërshtarë më të dobët. Ata që luanin pas nesh e dinin me saktësi se si duhet të dilnin ndeshjet e tyre që të na linin pas në renditje. Edhe Portugalia e dinte që me një 0-0 do të vijonte më tej”, theksoi 29-vjeçari, që më tej shpjegoi. “Gjatë ndeshjes Gjermani-Irlandë e Veriut ishim në stërvitje. Përfaqësuesi i zyrës së shtypit na shpjegoi se, gjermanët kishin humbur kaq shumë raste. Më pas e pamë vetë se çfarë kishte ndodhur”.
Përtej pritjes së gjatë dhe të hidhur, Mavraj është i bindur se kombëtarja e futbollit i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët me fitoren ndaj Rumanisë, në debutimin e përfaqësueses kuqezi në kampionatin Europian.