Mërgim Mavraj tashmë mund të cilësohet pa frikë si një prej yjeve të Bundesligës gjermane. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare po kalon një formë të jashtëzakonshme me fanelën e Këlnit dhe nuk është rastësi që sot është përzgjedhur përsëri në formacionin ideal të kampionatit nga e përditshmja sportive gjermane “Kicker”.
Skuadra e Këlnit po bën mrekullinë në këtë sezon, ndërsa aktualisht mban vendin e dytë në Bundesligë. Një meritë shumë të madhe për këtë arritje ka mbrojtja e kësaj skuadre, ku Mavraj është kthyer shumë shpejt në lider, edhe pse në fillim të sezonit kishte dyshime, nëse futbollisti shqiptar duhej të ishte titullar apo jo.
Besimi i trajnerit u shpërblye siç duhet, pasi Mavraj po dhuron paraqitje të shkëlqyera, aq sa për të dytën herë në vetëm 7 javë kampionat, u zgjodh në formacionin ideal të javës. Aty ai formon dyshen e qendrës të prapavijës me mbrojtësin e Bajern Mynih dhe kombëtares gjermane, Mats Humels, për të cilin kjo ishte hera e parë që rreshtohej mes më të mirëve.
Në këto 7 javë, vetëm Frank Riberi i Bajern Mynih, ka regjistruar më shumë prani në formacionin ideal, ku është përzgjedhur 3 herë. Ndërsa Mavraj është pjesë e një grupi prej 9 lojtarësh, mes të cilave ka emra si Lahm, Martinez apo Ibisheviç, të cilët koleksionojnë nga dy prani në formacionin ideal.