Merita Bakiu: Ndërkohë që qytetarët protestonin, në parlament vijonte teatri për të mbrojtur marrëveshjen e 2008-ës, që është edhe arsyeja pse banorët e Krujës janë të izoluar, pasi dikush tjetër ka vendosur për ta

Deputetja e Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, Merita Bakiu, shprehet se protesta dhe revolta e banorëve të Krujës, Fushë-Krujës dhe Thumanës, erdhi si shkak i injorimit dhe arrogancës me të cilin qytetarët janë trajtuar, paçka se kanë muaj që kërkojnë zgjidhje për shkak të izolimit që ka shkaktuar aksi Thumanë-Kashar.

Në një postim në facebook, Bakiu shprehet se mungesa e reagimit nga autoritetet, është një tjetër dëshmi e degradimit të parlamentarizimit dhe përfaqësimit politik të prodhuar nga marrëveshja e 2008-ës.

Ajo shprehet se ndërkohë që qytetarët protestonin, në Komisionin e Ligjeve vijonte teatri për të mbrojtur marrëveshjen e 2008-ës, që është edhe arsyeja pse banorët e këtyre zonave sot janë të izoluar, të nëpërkëmbur dhe nuk gjejnë zgjidhje, sepse dikush tjetër ka vendosur për ta.

Për këtë, Bakiu thotë se Shqipëria meriton më shumë, prandaj Demokratët Euroatlantikë kanl depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë një amendament që lejon lista 100% të hapura, për t’iu dhënë mundësi deputetëve të mos sillen si dele të kryetarëve.

Postimi i plotë i Merita Bakiut:

Duke dëgjuar dhe përjetuar revoltën e drejtë të banorëve të Krujës, Fushë-Krujës dhe Thumanës, njoftova zyrtarisht policinë për zhvillimin e protestës së sotme, e cila ishte një apel për t’i dhënë fund padrejtësisë ndaj qytetarëve dhe bizneseve që janë izoluar nga kjo qeveri e korruptuar, e cila nuk mendon për qytetarët, por vetëm për klientelën e saj ekonomike.

Kjo protestë e drejtë erdhi si shkak i injorimit dhe arrogancës me të cilin qytetarët janë trajtuar, paçka se kanë muaj që kërkojnë zgjidhje për shkak të izolimit që ka shkaktuar aksi Thumanë-Kashar.

Mungesa e reagimit nga autoritetet, është një tjetër dëshmi e degradimit të parlamentarizimit dhe përfaqësimit politik të prodhuar nga marrëveshja e 2008-ës.

16 vite më vonë, ajo është provuar një eksperimet i dështuar, që nuk i shërben interesave të qytetarëve, por vetëm një grushti të vogël politikanësh dhe klientelës së tyre.

Asgjesimi i përfaqësimit politik, që e ka kthyer parlamentin në një sallë kamikazësh në shërbim të oligarkëve dhe kastës të pandëshkuar 34 vjeçare, është edhe arsyeja madhore pse ne kërkuam dhe kërkojmë një Reformë të vërtetë Zgjedhore, që përmes listave të hapura e kthen deputetin në mbrojtës të interesave të votuesve dhe në zërin e tyre në parlamentin e Shqipërisë.

Ky është ndryshimi i vërtetë që ne duam të sjellim, kjo është edhe arsyeja pse ata janë bërë bashkë për të penguar hapjen e listave dhe ndryshimet ligjore që kemi depozituar në Kuvend.

Prandaj, ndërkohë që qytetarët protestonin, në Komisionin e Ligjeve vijonte teatri për të mbrojtur marrëveshjen e 2008-ës, që është edhe arsyeja pse banorët e Krujës, Fushë-Krujës dhe Thumanës sot janë të izoluar, të nëpërkëmbur dhe nuk gjejnë zgjidhje, sepse dikush tjetër ka vendosur për ta.

Shqipëria meriton më shumë, prandaj ne kemi depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë një amendament që lejon lista 100% të hapura, për t’iu dhënë mundësi deputetëve të mos sillen si dele të kryetarëve, por si përfaqësues të vullnetit të qytetarëve që kërkojnë ndryshim.

FB IMG 1721847274660

Artikulli paraprakListat e mbyllura, atentat mbi vullnetin e qytetarëve dhe pazar i radhës Rama-Berisha, për të mbajtur sistemin gjallë
Artikulli tjetërPakti Rama-Berisha për Reformën Zgjedhore, BIRN: Mbi 70% të deputetëve të ardhshëm do t’i caktojnë kryetarët