Merkato bombastike

Blerja e Leroy Sane nga Manchester City për 45 milionë euro ishte goditja e fundit në merkato, por shumë shpejt për të tjera shifra marramendëse pritet të zyrtarizohen Paul Pogba te Manchester United dhe Romelu Lukaku te Chelsea. Duke analizuar blerjet e 14 klubeve më të mëdha në Europë, shpenzimet në total e kalojnë shifrën 1 miliard euro. Sigurisht që klubet e Premier Leagues janë ato që kryesojnë përsa u përket shpenzimeve në merkato. Kështu Manchester United, që tashmë drejtohet nga Jose Mourinho, ka shpenzuar deri tani 190 milionë euro, Chelsea 154.8 milionë dhe Manchester City 92 milionë.
Dy skuadrat e Manchesterit, por edhe Blutë e Londrës, po bëjnë një sforco të madhe ekonomike për të rivënë në vend hierarkinë në elitën e futbollit anglez pas një sezoni ku tre vendet e para shkuan për Leicesterin, Arsenalin dhe Tottenhamin. Me Pogbanë Mourinho do të kompletojë pokerin e blerjeve të mëdha, teksa më parë ka siguruar shërbimet e Mkhitaryan, Bailly dhe Zlatan Ibrahimoviç. Pep Guardiola nga ana tjetër ka gjetur drejtuesin e orkestrës së tij, Ilkay Gundogan, ekspertin Nolito dhe dy djem të rinj me shumë të ardhme, Sane dhe Zinchenko. Ndërkohë Conte ka përforcuar mesfushën me Kante, ndërsa sulmin me dyshen belge Batshwayi- Lukaku.
Në Spanjë Barcelona nuk kishte nevoja emergjente për blerje. Organika blaugrana është pasuruar me Adre Gomes, Umtiti, Digne dhe Denis Suarez, mungon vetëm një alternativë për sulmin, ku mbeten të padiskutueshëm Messi, Neymar e Suarez. Mbetet e padeshifrueshme situata te Reali i Madridit. Sigurisht që 11-shja titullare e kampionëve të Europës nuk ka nevojë emergjente për përforcime, por bllokimi i mundshëm i merkatos deri më 2017-ën i shtyn drejtuesit e Los Blancos të mendojnë përtej rikthimit të Alvaro Moratas.
Atletico e Madridit ka blerë Gamieron për ta rreshtuar përkrah Griezman, ka afruar Gaitan, si dhe këmbëngul për rikthimin e Diego Costas.
Diktatura e PSG dhe Bayernit në Francë dhe Gjermani i detyron drejtuesit e këtyre klubeve që blerjet të jenë në funksion të Championsit. Te kampionët e Francës Krychowiak i jep më shumë cilësi mesfushës, mirëpo në sulm peshon shumë lamtumira e Ibras. Deri më 31 gusht diçka duhet të ndodhë te parisienët.
Ancelotti ka një skuadër që do të fitojë, por që i është shtuar edhe Mats Hummels dhe Renato Sanchez, një nga të rinjtë më premtues në Europë. Bën shumë përshtypje revolucioni i Tuchel te Borussia e Dotmundit, që ka siguruar shërbimet e Götze, Bartra, Guerreiro, Schürrle, Dembele.

Exit mobile version