Barcelona përforcon mbrojtjen me dy lojtarë të kombëtares franceze. Një nga repartet më problematikë për klubin blaugrana është reparti difensiv dhe nisur nga kjo drejtuesit e klubit gjatë këtyre javëve kanë kryer disa përforcime. Pas transferimit të mbrojtësit Umtiti, radhëve të kampionëve të Spanjës u bashkohet dhe Lucas Digne. Francezi ka zbarkuar në Barcelonë dhe tashmë ai është zyrtarisht blaugrana. Ende nuk bëhen të ditura detajet e kontratës dhe shuma që do të përfitojë mbrojtësi francez tek skuadra katalanase.
Lucas Digne, u transferua përpara dy sezonesh nga Paris Saint Germain tek Roma. Paraqitjet e tij të mira tek verdhekuqtë bindën drejtuesit e klubit katalanas në transferimin e futbollistit, i cili do të rrisë rivalitetin në repartin e tërhequr. Digne do të bashkohet me skuadrën për fazën përgatitore dhe turnetë miqësorë që klubi ka parashikuar gjatë kësaj vere. Një tjetër emër i lakuar për t’u bashkuar me katalanasit është edhe mbrojtësi portugez, Raphael Guerreiro, i cili u aktivizua titullar në radhët e kampionëve të Europës. Guerrero konsiderohet një alternativë më shumë në krahun e djathtë për spanjollin Jordi Alba.