Në deklaratën e saj qeveritare para Bundestagut gjerman, Kancelarja Merkel nuk la asnjë dyshim në ç’drejtim do të ecë takimi dyditor i nivelit të lartë të BE: “Në ditën e pestë pas referendumit ne jemi shumë më të qartë se të premten, për atë që duhet bërë – sot në Këshillin Europian që fillon dhe më tej”, tha Merkel dhe kjo tingëllon sikur koha e zisë pas referendumit që sot ka marrë fund. Edhe nëse kryetarja e qeverisë gjermane nuk lë asnjë dyshim se vendimi i britanikëve është padyshim “një moment vendimtar për Europën” dhe e vlerëson atë edhe si “moment vendimtar për procesin e Bashkimit Europian”.
Por që tani ato që kanë rëndësi janë interesat evropiane – e edhe – po, interesat gjermane. Negociatat me “shtetin e tretë të ardhshëm” nuk duhet të bëjnë që t’u vihet pikëpyetja arritjeve të bashkimit evropian për të 27 shtetet anëtare, deklaron Merkel. Sado e madhe që të jetë miqësia me britanikët dhe sado i ngushtë partneriteti në NATO: “Duhet dhe do të ketë një dallim të ndjeshëm, nëse një vend dëshiron të jetë anëtar i familjes së Bashkimit Europian ose jo”.
Të ndjeshme do të jenë para së gjithash përparësitë, prej të cilave duhet të heqë dorë Mbretëria e Bashkuar. “Ne do të garantojmë që negociatat të mos zhvillohen mbi bazën e parimit të zgjedhjes së menysë që të shijon”.
Mbledhje krize në Berlin
Britanikët nuk mund të shpresojnë të marrin trajtim special, në këtë linjë ra dakord Merkeli të hënën në darkë në Berlin me Presidentin francez Francois Hollande dhe me kryeministrin italian, Matteo Renzi. Që para darkës së përbashkët, treshja ishte e të njëjtit mendim, që procesi i daljes së Britanisë së Madhe nga BE duhet të ecë në bazë të rregullave të qarta.
Këtu bën pjesë edhe që të mos zhvillohen negociata, para se Britania e Madhe të ketë paraqitur kërkesën zyrtare për dalje nga BE në bazë të Nenit 50 të Kontratës së BE. “Ne marrim në konsideratë, që Britania e Madhe nuk dëshiron ende të paraqesë një lutje në bazë të Nenit 50 dhe Britania e Madhe nga ana e saj duhet të marrë në konsideratë se nuk mund dhe nuk do të ketë negociata të asnjë lloji ose bisedime paraprake, përpara se të jetë paraqitur lutja në bazë të Nenit 50”, e përsëriti Merkel edhe njëherë mendimin e saj në Bundestag.
Këtu Merkel është në të njëjtën linjë me Kryetarin e Komisionit Evropian, Juncker. Ai u ka dhënë bashkëpunëtorëve të tij urdhër që të mos pranojnë asnjë negociatë të këtij lloji, tha Juncker. Kur të nisin pastaj zyrtarisht negociatat “do të jemi ne që do të përcaktojmë rendin e ditës dhe jo ata që duan të largohen nga BE”.
Gjë që nuk do të thotë se Britania e Madhe do ta ketë të ndaluar aksesin në tregun e brendshëm të BE. Përkundrazi. Por Angela Merkel nuk lë edhe në këtë drejtim asnjë dyshim në kushtet që duhet të pranojnë britanikët. “Hyrje të lirë në tregun e brendshëm ka ai, i cili pranon katër liritë bazë evropiane: atë të njerëzve, të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitalit”, numëroi Kancelarja në deklaratën e saj qeveritare.
Për 20 minuta flet Kancelarja Merkel në Bundestag, pas saj e marrin fjalën politikanë të grupeve parlamentare dhe të opozitës. Në parim, SPD e mbështet linjën e Kancelares gjermane, por ka edhe dallime. Në një kohë kur Kancelarja do t’u lërë kohë britanikëve dhe Europës, kryetari i Grupit Parlamentar të SPD, Thomas Oppermann, kërkon që Kancelarja të këmbëngulë në “Këshillin Europian që të krijohet sa më shpejt qartësi. Një situatë të paqartë me vite nuk është e mirë për askënd tha Oppermann. Më tej, Oppermann kërkoi në Bundestag që BE të ketë “më shumë investime dhe inovacione”, për ta bërë BE sërish interesant për qytetarët.