Merkel dhe Putin: Të respektohet armëpushimi në Ukrainë

Merkel dhe Putin kërkojnë respektimin e armëpushimit në Lindje të Ukrainës. Prej më shumë se një jave në Lindje të Ukrainës po zhvillohen sërish luftime të përgjakshme. Në sfondin e shkallëzimit të situatës kancelarja Merkel dhe presidenti rus Putin, bëjnë thirrje të ulen armët.
Për herë të parë qëkurse u rifilluan luftimet në Lindje të Ukrainës kancelarja Angela Merkel dhe presidenti rus, Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike, për të analizuar konfliktin. Putin u shpreh për bisedime të reja. Një takim i ministrave të Jashtëm të Rusisë, Gjermanisë, Francës dhe Ukrainës duhet të planifikohet së shpejti, u bë e ditur nga Kremlini. Më vonë duhet të ketë bisedime në nivel më të lartë. Një datë për këtë Kremlini ende nuk e ka komunikuar.
Gjatë bisedës telefonike Merkel i bëri thirrje presidentit rus, që ta shfrytëzojë influencën e vet ndaj rebelëve pro rusë në Lindje të Ukrainës, në mënyrë që ata të heqin dorë nga dhuna, deklaroi një zëdhënës i qeverisë. Putin dhe Merkel kanë shprehur shqetësimin e tyre për valën e fundit të dhunës në zonat e luftës, mësohet më tej.
Sipas të dhënave të Kremlinit, Putin i vuri në dukje kancelares Merkel, se sipas tij, ka shenja që njësitë e ushtrisë ukrainase janë përgjegjëse për përshkallëzimin e situatës në qytetin industrial Avdijivka në veri të Donjeckut. Të hënën (06.02) në të kundërt një zëdhënës qeveritar gjerman deklaroi, se nga këndvështrimi i qeverisë gjermane “përgjegjësia kryesore për konfliktin në Lindje të Ukrainës (…) bie kryesisht ndaj separatistëve të mbështetur nga Rusia”.

Akuza të ndërsjellta
Ukraina dhe separatistët pro rusë në Donbas akuzojnë reciprokisht njëri-tjetrin duke shmangur nga vetja përgjegjësinë për shpërthimin e luftimeve. Gjatë luftimeve mes ushtarëve të qeverisë dhe separatistëve pro rusë në territorin përreth qyteteve Donjeck dhe Avdijivka që nga e diela (05.02) kanë gjetur vdekjen të paktën 27 vetë. Shkëmbime zjarri ka pasur edhe në fillim të javës.

BE-ja i referohet Marrëveshjes së Minskut
Të hënën (05.02) BE-ja bëri të qartë, që lidhur me konfliktin në Ukrainë i përmbahet kërkesës për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Minskut. Të gjithë ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së në takimin në Bruksel shprehën mbështetje të fortë për këtë marrëveshje, tha e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini. Edhe ajo kërkoi rivendosjen e armëpushimit pas luftimeve të fundit, për ta vënë sërish në lëvizje procesin e paqes.
Marrëveshja e Minskut parashikon ndër të tjera armëpushimin, tërheqjen e armatimeve të rënda nga fronti dhe zhvillimin e zgjedhjeve komunale në territoret e kontrolluara nga separatistët pro rusë. Përveç kësaj bëhet fjalë edhe për ndryshimet në Kushtetutën e Ukrainës, përmes të cilave territoret separatiste duhet të fitojnë më shumë autonomi.

Artikulli paraprakCili është roli i presidentit gjerman?
Artikulli tjetërHaradinaj, ekstradim në Serbi apo lirim?