Merkel takim me Trump të shtunën

Kryediplomati i ri gjerman, Sigmar Gabriel, do të zhvillojë bisedime me administratën e presidentit të ri amerikan, Donald Trump në SHBA gjatë javës së ardhshme, shkruan gazeta “Handelsblatt”, transmeton “Reuters”.
Paraardhësi i Trump, Barack Obama ka pasur marrëdhënie shumë të mira me kancelaren gjermane, Angela Merkel, por presidenti i ri amerikan e ka nisur punën duke e kritikuar ashpër sidomos politikën e Merkelit për refugjatët.
Socialdemokrati Gabriel, që ka mbajtur qëndrime kritike ndaj Trumpit, do të takohet me nënpresidentin amerikan, Mike Pence dhe të nominuarin e Trumpit për sekretar Shteti, Rex Tillerson, shkruan gazeta “Handelsblatt”, duke u mbështetur në burime anonime qeveritare gjermane.
Gabriel së fundi ka hequr dorë nga posti i ministrit të Ekonomisë për të zëvendësuar Frank-Walter Steienmeierin në postin e ministrit të Jashtëm, në një ceremoni të mbajtur dje.
“Reuters” e citon një burim anonim, i cili thotë se Merkel me gjasë të shtunën do të bisedojë me Trumpin, një bisedë që pritet të fokusohet rreth Rusisë.
Nuk është ende e qartë, shkruan më tej “Reuters”, nëse Trump do të bisedojë për heqjen e mundshme të sanksioneve amerikane që janë vendosur ndaj Rusisë për shkak të veprimeve të kësaj të fundit në Ukrainë.

Artikulli paraprakBarcelona nuk gabon, kalon me lehtësi në gjysmëfinale
Artikulli tjetërTrump në Filadelfia, rendit aspiratat kryesore politike