Kryediplomati i ri gjerman, Sigmar Gabriel, do të zhvillojë bisedime me administratën e presidentit të ri amerikan, Donald Trump në SHBA gjatë javës së ardhshme, shkruan gazeta “Handelsblatt”, transmeton “Reuters”.
Paraardhësi i Trump, Barack Obama ka pasur marrëdhënie shumë të mira me kancelaren gjermane, Angela Merkel, por presidenti i ri amerikan e ka nisur punën duke e kritikuar ashpër sidomos politikën e Merkelit për refugjatët.
Socialdemokrati Gabriel, që ka mbajtur qëndrime kritike ndaj Trumpit, do të takohet me nënpresidentin amerikan, Mike Pence dhe të nominuarin e Trumpit për sekretar Shteti, Rex Tillerson, shkruan gazeta “Handelsblatt”, duke u mbështetur në burime anonime qeveritare gjermane.
Gabriel së fundi ka hequr dorë nga posti i ministrit të Ekonomisë për të zëvendësuar Frank-Walter Steienmeierin në postin e ministrit të Jashtëm, në një ceremoni të mbajtur dje.
“Reuters” e citon një burim anonim, i cili thotë se Merkel me gjasë të shtunën do të bisedojë me Trumpin, një bisedë që pritet të fokusohet rreth Rusisë.
Nuk është ende e qartë, shkruan më tej “Reuters”, nëse Trump do të bisedojë për heqjen e mundshme të sanksioneve amerikane që janë vendosur ndaj Rusisë për shkak të veprimeve të kësaj të fundit në Ukrainë.