Nga Erl Kodra
Kur lexova romanin “Mërkuna e Zezë” të Agron Tufës, gjëja e parë që mendova qe se, më në fund, një autor shqiptar paska shkruar një roman pa asnjë grimcë moralizuese, pa asnjë tendencë ideologjike, por thjesht e vetëm prozë gurgulluese, që ka si objektiv artin e pastër si të tillë. Nuk i rezistova ngasjes t’i hyja labirintheve, të zbërthej atë gjuhë të ngjeshur metaforash frazeologjike, atë uverturë emocionesh të përziera me magji dhe mister, ndërsa pavetdije m’u shpërfaq adoleshenca ime, misteri dhe frika që shoqëron çdo qenie njerëzore, kur fillon të zbulojë magjinë e papërsëritshme të asaj moshe.
Agron Tufa rrëfen një histori të pakohë, nga ato lloj historish që e kanë shoqëruar qenien njerëzore që në agimet e shoqërisë. Çdo fëmijë kontaktet e para i ka me botën femërore, me nënën dhe motrat. Por në romanin e Tufës, djali i historisë shkon si vizitor në Mbretërinë e Mërkunës. Ai gjendet mes misterit dhe rrëfenjave të lashta, i rrethuar vetëm nga gra që tjerrin lesh të zi dhe thurin me shtiza – prej nga buron edhe fuqia e tyre. Djali mbërthehet në një peizazh të zymtë prej bore, mes grave të fshatit Ivranaj, që nuk do ta lënë kurrë të largohet prej tyre.
Diçka si një makth e tërheq, ia përpin fuqitë dhe ia shtrydh pubertetin, ngjashëm me makthet që shumëkush përjeton në atë moshë të njomë. Aty nuk ndjehet drejtëpërdrejt frika, por angushtia; nuk ndjehet dhimbja por pafuqia e epshit që po shpërthen pa vetdijen e djalit. Kështu, gratë e katundit Ivranaj – që janë dishepujt e Mretëreshës Mërkunë – nuk do ta lëshojnë prenë e tyre të njomë pa e shijuar. Ato ia përpijnë epshin djaloshit të shkretë në njëlloj përdhunimi ku përzihet kënaqësia me dhimbjen.
“Mërkuna e Zezë” është veçse art, art i kthjellët – njëlloj diamanti i pastërtisë së lartë – pa asnjë ngarkesë moraliste, as ideologjizuese. Proza e Tufës zhbirilon një botë mitike, që secili prej nesh e ka brenda vetes. Ai luan me frikën, misterin dhe ankthin deri në magjepsje, sikundër dhe me seksin, me dëshirat e fshehura. Cili adoleshent nuk ka ëndërruar në gjumin e mëngjesit pasionin e ujshëm dhe pusin gllabrues plot mister të seksit?
Shtrigat e Agron Tufës nuk janë plaka me pamje të mjerueshme, por qenie trallisëse femërore, plot pasion dhe epsh. Megjithatë, ato nuk janë krejt të liga, por lajnë dhe shprishin lesh, tjerrin dhe thurin me grepa pambarim, njëlloj arti mitik në formën e një riti të lashtë. Ivranaj nuk ka ndërtesa të mëdha të stilit gotik, por fryma gotike ndjehet në grinë e bardhë që mbulon këtë katund rrëzë malesh; në qilarët e errët dhe veglat e punëdorës. Figura gotike e Mbretëreshës Mërkunë, me kokë të madhe, sy të mëdhenjë dhe flokë të gjata ka pushtuar fund e krye jetën e gjithë katundit. Ajo është e gjithëpushtetshme; dikton jetën dhe pasionin e grave që e ndjekin ditën dhe natën, ndërsa e Mërkura është ditë-nata e saj. Ajo është njëlloj mbretëreshe e errët që ka pushtuar krejt fshatin Ivranaj.
Proza neo-gotike e Tufës gërsheton frymën mistike me atë ekzotike të fshatit shqiptar, me njëlloj lirizmi mallëngjyes për jetën, dashurinë dhe seksin. Ai përbiron në labirinthet e shpirtit dhe trupit të djaloshit që tregon në vetë të parë – tashmë një shpirtë i lirë – që do të endet përjetë atij fshati bashkë me Fatushën, si një fantazmë e mirë. Vet historia tregohet prajshëm prej djaloshit, pa kërkuar asgjë si shpagim, shoqëruar vetëm me një tis të hollë malli. Djali-tregimtar e pranon fatin e tij, teksa largohet pa keqardhje nga trupi i vet, i shqyer prej shtrigave të fshatit Ivranaj.
Agron Tufa nuk i shpjegon të gjitha, as nuk i qartëson plotësisht idetë e tij, duke lënë hapësira për intepretim nga vetë lexuesi. Ai ruan një balancë të përkryer mes historisë dhe ideve, madje idetë më shumë ndjehen, pa u kuptuar si të tilla. Dhe ky është çelsi i suksesit për një vepër të rrjedhës dhe frymës neo-gotike: të luash me misterin, thellësinë dhe kompleksitetin emocional. Qenia njerëzore është e brishtë, për më tepër një fëmijë në adoleshencën e tij. Tabuja e seksit dhe marrëdhëniet e mbyllura në familje dhe shoqëri mund të çojnë edhe në tragjedi. I tillë është mjedisi i errët në fshatin Ivranaj, gjithandej, dhe djali gjendet i zënë në kurth.
Ideja e autorit për një shoqëri të mbyllur në konspiracion, që deformon karakteret njerëzore, ndjehet fund e krye tekstit: Ivranaj është një mjedis i mbytur në dogma konspirative.
Rrëfimi në vetë të parë i djaloshit fillon me fjalinë e gjatë – “Shpirti im kaherë e bën këtë rrugë… Kështu, për vite me radhë, u bie prapa gjurmëve që më sollën e më ngulën përjetësisht në fshatin Ivranaj, duke përcjellë për të mijëtën herë karvanin e vogël prej pesë kuajsh, me dajë Rexhën prapa tyre, i cili tash ka filluar të mbahet pas bishtit të kalit të mbramë”.
Pra flet shpirti i djaloshit të mbërthyer përjetësisht në atë fshat të thëllimtë, ku mbretëron Mërkuna e Zezë. Nënshtresat komplekse të rrëfimit grimcojnë historinë mizore të gjendjes, ku shtrigat e një sekti të lashtë komplotojnë kundër burrave; duke përmbushur betimin në mbrojtje të matriarkatit. Skenat e fundit në shtëpinë e nunës Shtime, teksa gratë dhe vajzat e katundit kërcejnë dhe këndojnë ritet e shtrignisë, atmosfera e errët dhe mistike thërmohet në emocione të thella, njëlloj makthi që të mpak dhe të mbyt njëkohësisht, ndërsa ti shuhesh ngadalë nga pafuqia për të lëvizur dhe majën e gishtit të vogël.
Agron Tufa na rrëfen për një botë komplekse, me grimca realitetesh të shtresëzuara mes mitesh dhe ritesh arkaike, të pakohë, të pavdekshme, të papërsëritshme. Kësisoj, proza e Tufës tejkalon rrëfimet e zakonta të letërsisë shqipe, duke krijuar një histori që të mahnit me bukurinë e stilit dhe thellësinë e rrëfimit. “Mërkuna e Zezë” është një vepër origjinale, nga ato lloj veprash që vijnë rrallë edhe në letërsinë ndërkombëtare.
Pikërisht për këto virtyte artitike që përmendëm më lart, “Mërkuna e Zezë” është nga ato lloj romanesh që i bëjnë nder jo vetëm autorit, por edhe letërsisë shqipe. Dhe nëse do gjendej një përkthyes që të mund ta përkthente në një gjuhë të madhe, me gjithë thellësinë dhe bukurinë e gjuhës mahnitëse të Agron Tufës, ky roman shqiptar do të na prezantonte te lexuesi i gjuhëve të mëdha tok me origjinalitetin letrar, edhe me një botë të papërsëritshme mitike shqiptare.