Presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media që po vazhdon ende ka sulmuar LDK’në, e cila sipas tij, në vitin 2014, ka penguar krijimin ushtrisë, ndërkohë që tash nuk po bashkohet në dialogun me Serbinë. Një ditë më herët shefi i grupit parlamentar të LDK’së Avdulla Hotin akuzoi Thaçin se po i bllokon njohjet e Kosovës duke folur për shkëmbim territoresh.
Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës dje tha se është në gjendje të shkojë pa mbështetjen e opozitës në bisedime duke bërë marrëveshje me Serbinë. Si kundërpërgjigje Thaçi e përmendi mundësinë e mbajtjes së referendumit, ka thënë se ka nisur tashmë iniciativën që Kosova ta ketë të drejtën e referendumit në mënyrë që qytetarët të kenë të drejtën ta thonë fjalën e tyre në referendum për marrëveshjen Kosovë-Serbi, pra kjo në variantin kur dështon ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend për shkak të mungesës së votave.
Thaçi ka thënë se dialogu me Serbinë ka filluar tash e dy muaj, duke dalë në kundërshtim me atë liderin e NISMA’s Fatmir Limajn, i cili që prej se ishte në Bruksel po insiston që dialogu s’ka filluar.
Ai ka thënë se nuk do të ndalet në rrugën e bisedimeve.
“Jam i vendosur që këtë betejë që ta çojë deri në fund. Beteja zhvillohet në tavolinë, në negociata” ka thënë ai.
Reagimi i LDK
Deputeti i Lidhjes Demokratike, Ismet Beqiri është përfshirë në debatin e fundit rreth çështjes së korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Beqiri, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se deklaratat e tilla janë të rrezikshme për vendin. Ai ka treguar se Hashim Thaçi nuk e ka mbështetjen e LDK’së për ta udhëhequr dialogun me Serbinë në Bruksel.
“Por as nuk e ka të drejtën,as mandatin,as ai dhe askush tjetër ta copëtoj Kosovën,ta shkel integritetin dhe sovranitetin e vendit. Askush,as ai nuk mund të luaj me Kushtetutën e vendit… Se këtij “sakica nuk i pret në një vend”,nuk është lajm,por çdo gjë duhet të ketë kufij. Ne jemi Republikë Parlamentare,për rikujtim atij dhe disa sejmenëve të tij”.
Shkrimi i plotë i Beqirit:
Të dashur miq,
Këto ditë po vazhdohet me:
Deklarata plotësisht të papërgjegjshme
Deklarata e intervista kontradiktore
Deklarata e intervista të dëmshme dhe të rrezikshme
Deklarata për”korigjim”kufinjësh,një farsë por me prapavijë të rrezikshme
Deklarata të stilit mbreti jam unë,e ju ndëgjoni e shërbeni…
Por as nuk e ka të drejtën,as mandatin,as ai dhe askush tjeter ta copëtoj Kosovën,ta shkel integritetin dhe sovranitetin e vendit. Askush,as ai nuk mund të luaj me Kushtetutën e vendit… Se këtij”sakica nuk i pret në një vend”,nuk është lajm,por çdo gjë duhet të ketë kufij. Ne jemi Republikë Parlamentare,për rikujtim atij dhe disa sejmenëve të tij.
Sovraniteti,integriteti i vendit është përtej tij,përtej edhe Parlamentit,është i qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Pse gjithë kjo nguti me i ba dëm vendit,me “copëtu”vendin,për këtë nuk bëhet vonë asnjëhere,por duhet ba të kundërtën,mos me dëmtu vendin,sepse ngutia na dërgon në atë drejtim.
Këto dhe shumë”margaritar”na bëjnë edhe më këmbëngulës në qëndrimin tonë edhe si LDK edhe si individ. Ai dhe të tillët përfaqësues tonë në dialogë,me votën tonë,jo faleminderit.