Partia Demokratike dhe Sali Berisha po shtiren për farsën elektorale me qëllim që të tërheqin vëmendjen për të mos lëshuar opozitën dhe postin, pasi nuk kanë asnjë provë për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit.
Pa ikur Berisha nga PD-ja, Edi Rama nuk rrëzohet kurrë nga pushteti, pasi ata kanë marrëveshje dypalëshe, ku njëri qëndron në pushtet dhe tjetri kontrollon opozitën.
Kjo ishte prognoza politike që bëri gjatë analizës së tij në ‘Studio Live’ të Report Tv, me moderatorin Arbër Hitaj, analisti politik Ergys Mërtiri.
Ai i qëndroi tezës se PS dhe PD kanë marrëveshje mes tyre duke krijuar situata bipolarizimi politik artificiale, duke iu referuar edhe ngjarjeve në Kuvend ditën e sotme, gjatë seancës plenare (5 qershor). Berisha, sipas tij, nëpërmjet sulmeve për farsë elektorale, kërkon që të shtypë edhe zërat kundër që ka në parti.
“Duket si normale kjo situatë, opozita krijon stuhi në gotë bosh. Kërkon të krijojë tensione artificiale. Kërkon të krijojë atë që ta quajë polarizim të politikës. Në fakt është situatë ku dy palë janë bashkë në atë që krijojnë, ku konflikti manipulohet, kjo njihet në teorinë politike si ‘politikë e simuluar’. Ato janë në mbrojtje të statuq-quo-së, sepse duke ruajtur atë, mbrojnë edhe sistemin”, tha Mërtiri në nisje të analizës së tij për situatën politike në vend, referuar edhe zhvillimeve të ditës së sotme në Kuvend, përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës.
Ai i qëndroi argumentit se PS dhe PD kanë marrëveshje të përbashkëta dhe inskenojnë bipolarizimin e politikës në mënyrë të qëllimtë, për të kontrolluar elektoratin.
“Ekspertët e politikës thonë se duke shpikur një problem të paqenë, që nuk ekziston, faktorizohet politika, tërhiqet vëmendja dhe zhvendoset nga disa pika të tjera apo çështje të ditës dhe kështu zhvendoset elektorati. Ndaj bëhet, që të bipolarizohet situata. Berisha krijon farsë për këtë qëllim dhe në krahun tjetër Rama e faktorizon duke i thënë jo bufi, jo këneta. Madje kanë bërë konsensus të shpifur me kod elektoral, që të vrisnin partitë e vogla dhe të përqëndronin votat, ku njëri rri në opozitë dhe tjetri në pushtet. PS dhe PD bënë një kod elektoral kundër të vegjëlve”, vijoi analisti komentin e tij.
Madje ai vuri edhe një ‘bast’ publik politik, duke thënë se nëse Berisha nuk ikën, Rama nuk bie kurrë nga pushteti dhe anasjelltas, largimi i kreut të PD-së, do sillte edhe rrëzimin e shpejtë të kryeministrit.