Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë të enjten, më 5 qershor, bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Stefan Kornelius.
Kornelius tha më 31 maj se është planifikuar që dy udhëheqësit të zhvillojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë, pasuar nga një drekë e përbashkët e më pas një konferencë për media.
Bisedimet në Uashington pritet të përqendrohen në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përgjigjes së NATO-s ndaj kërcënimeve të jashtme në rritje. Udhëheqësit po ashtu pritet të bisedojnë për mosmarrëveshjet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.
Ky do të jetë takimi i parë mes dy udhëheqësve që kur Merzi mori detyrën e kancelarit më 6 maj. Para se Merz të merrte këtë post, ishte takuar me Trumpin shumë vite më parë në Nju Jork.